Megjithë progresin e bërë në vitin e fundit sa i përket tregtisë online, Shqipëria përsëri mbetet mbrapa krahasuar me vendet e rajonit.
Të dhënat e Indeksit të Ekonomisë dhe Shoqërisë Digjitale për Ballkanin Perëndimor tregojnë se në tregtinë elektronike ndërkufitare, pra në shitjet online drejt ekonomive të tjera, Shqipëria ka qëndruar në nivel shumë të ulët. Vetëm 5% e SME-ve shqiptare kryen shitje jashtë vendit në vitet 2020 dhe 2021, ndërsa për vitet 2022–2023 nuk raportohet rritje.
Krahasimisht, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi arritën deri në 10%, ndërsa Mali i Zi pati një kulm prej 16% në vitin 2021. Në këtë tregues, BE-ja qëndron dukshëm më lart me rreth 8–9%, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet më të dobëta të rajonit.
Sa u përket të ardhurave nga tregtia elektronike, niveli i Shqipërisë është pothuajse i pandryshuar: rreth 7% e SME-ve deklarojnë të ardhura nga shitjet online në periudhën 2020–2023.Në rajon, Bosnja dhe Mali i Zi arrijnë 8–9%, ndërsa Serbia shkon mbi 9%. Në të njëjtën kohë, BE-ja qëndron në nivele shumë më të larta, me 11–12% të SME-ve që sigurojnë të ardhura nga e-commerce.
Ndërsa në fushën e e-invoices, Shqipëria regjistroi një ndryshim të madh. Nga një nivel i ulët prej vetëm 17–18% gjatë viteve 2020–2022, përdorimi i faturave elektronike u rrit fuqishëm në 53% në vitin 2023. Ky zhvillim lidhet me futjen e sistemit të detyrueshëm të faturimit elektronik, që ka sjellë Shqipërinë në nivele të krahasueshme me ose më të larta se shumë vende të rajonit. Serbia, për shembull, arriti në 60%, ndërsa Mali i Zi në rreth 55%. Edhe BE-ja ka shifra më të ulëta, me rreth 44%. Shqipëria kështu pozicionohet në krye të rajonit për këtë tregues.
SME-të që shesin online: Shqipëria në mesataren rajonale
Për pjesëmarrjen e SME-ve në shitjet online (të paktën 1% e qarkullimit total), Shqipëria ka mbajtur një nivel relativisht të qëndrueshëm prej 17–20% gjatë 2020–2023.
Ky nivel është i krahasueshëm me mesataren e BE-së (18–20%), por më i ulët krahasuar me fqinjët. Serbia kryeson me 27–28%, ndërsa Mali i Zi arrin deri në 26%.
Në aspektin e SME-ve që shesin online, Shqipëria arrin mesataren evropiane, por nuk konkurron dot me fqinjët kryesorë si Serbia dhe Mali i Zi. /ekofin.al
