Shqipëria rezulton në vend të dytë pas Sllovenisë për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në vitin 2025 nga anëtarët e NATO-s në Evropën Juglindore.
Gjatë vitit të kaluar, Sllovenia rriti shpenzimet për mbrojtjen me 53.31% në terma realë, duke arritur në rreth 1.4 miliardë dollarë (1.2 miliardë euro), që përbëjnë 2.04% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), krahasuar me 1.34% të PBB-së në vitin 2024, sipas raportit vjetor të NATO-s.
Nga totali i vitit 2025, Sllovenia shpenzoi 22.70% për pajisje, 36.47% për personelin ushtarak, 2.72% për infrastrukturë dhe 38.12% për operacione dhe mirëmbajtje, kërkim-zhvillim shtesë si dhe shpenzime të tjera të paklasifikuara në kategoritë e mëparshme.
Pas saj ishte Shqipëria, e cila rriti shpenzimet për mbrojtjen me 53.11% në terma realë në vitin 2025, duke arritur në rreth 423 milionë dollarë, ose 2% të PBB-së. Në vitin 2024, Shqipëria kishte shpenzuar 276 milionë dollarë për mbrojtjen, që përbënin 1.35% të PBB-së. Nga totali i shpenzimeve të vitit të kaluar, 17.48% shkuan për pajisje, 34.84% për personelin, 10.99% për infrastrukturë dhe 36.69% për shpenzime të tjera.
Edhe Mali i Zi regjistroi një rritje të ndjeshme të shpenzimeve për mbrojtjen vitin e kaluar, me 26.84%, duke arritur në 146 milionë dollarë. Në vitin 2025, këto shpenzime përbënin 2.05% të PBB-së së vendit, nga 1.66% një vit më parë. Mali i Zi shpenzoi 42.83% të totalit për pajisje, 39.75% për personelin, 4.15% për infrastrukturë dhe 13.27% për zëra të tjerë.
Maqedonia e Veriut shpenzoi rreth 334 milionë dollarë për mbrojtjen në vitin 2025, një rritje reale prej 19.07% krahasuar me një vit më parë, që përbën 2.13% të PBB-së, nga 1.84% në vitin 2024. Ndërkohë, shpenzimet e Kroacisë për mbrojtjen u rritën me 17.3% në vitin 2025, duke arritur në 1.7 miliardë dollarë, ose 2.10% të PBB-së, nga 1.85% një vit më parë.
Bullgaria rriti shpenzimet për mbrojtjen me 13.78% në vitin 2025, duke arritur në 2 miliardë dollarë, që përbëjnë 2.14% të PBB-së, krahasuar me 1.93% në vitin 2024.
Nga ana tjetër, Rumania regjistroi rritjen më të ulët të shpenzimeve për mbrojtjen, me vetëm 3.14%, duke arritur në 6.9 miliardë dollarë, ose 2.21% të PBB-së, nga 2.17% një vit më parë.
Në vitin 2025, shpenzimet totale të vendeve anëtare të NATO-s për kërkesat bazë të mbrojtjes vlerësohen të kenë tejkaluar 1.4 trilion dollarë, ku Shtetet e Bashkuara kontribuan me 838 miliardë dollarë.
Në qershor të vitit të kaluar, vendet anëtare të NATO-s u angazhuan të rrisin investimet në mbrojtje në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, nga objektivi prej 2% që ishte vendosur në vitin 2014.
