Shqipëria ka ngritur një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës për identitetin digjital, por certifikimi, mbikëqyrja dhe mekanizmat e sigurisë mbeten ndër çështjet që duhet të zgjidhen për të mundësuar njohjen e plotë të portofolit elektronik sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Një raport i Bankës Botërore parashtron çfarë i mungon Shqipërisë për portofolin europian të identitetit digjital (EUDI Wallet).
Sipas vlerësimit, Shqipëria ka një bazë të zhvilluar teknologjike, përfshirë kartat biometrike të identitetit, pasaportat elektronike, regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe platformën që mundëson shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve publike. Megjithatë, ekzistenca e kësaj infrastrukture nuk mjafton për të garantuar që identiteti digjital shqiptar të njihet dhe të përdoret në vendet e BE-së.
Njohja ndërkufitare kërkon standarde të përbashkëta sigurie, certifikim të sistemeve dhe mekanizma të besueshëm verifikimi, të cilat Banka Botërore i identifikon si fusha ku Shqipëria duhet të ndërhyjë.
Certifikimi dhe mbikëqyrja, mangësitë kryesore
Të dhënat për qeverisjen e portofolit digjital, tregojnë se në periudhën e analizuar Shqipëria nuk kishte një skemë të përcaktuar për certifikimin e aspekteve të portofolit që nuk lidhen me sigurinë, ndërsa skema e certifikimit të sigurisë ishte ende në zhvillim.
Po ashtu, nuk ishte përcaktuar rruga e vlerësimit të përputhshmërisë me standardet evropiane dhe nuk kishte organizma të akredituar për certifikimin e portofolit digjital.
Ndërkohë, me mangësi rezulton edhe mbikëqyrja. Sipas raportit, në kohën e vlerësimit nuk ishte caktuar formalisht autoriteti përgjegjës për mbikëqyrjen e portofolit dhe nuk ishin përcaktuar procedurat e kontrollit përpara dhe pas certifikimit.
Banka Botërore identifikonte Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) si institucionin e parashikuar për këtë rol. Në fushën e sigurisë kibernetike, raporti evidenton se Shqipëria ka një autoritet kombëtar funksional, por në periudhën e vlerësimit nuk kishte një plan të posaçëm për menaxhimin e incidenteve në rast komprometimi të portofolit digjital.
Mungonin gjithashtu procedurat e koordinimit për rastet e cenimit të të dhënave personale të lidhura me portofolin.
Këto mangësi nuk përbëjnë prova për incidente konkrete sigurie, por tregojnë se në kohën e analizës një pjesë e mekanizmave të parandalimit, reagimit dhe kontrollit nuk ishin ende të përcaktuar.
Pse njohja në BE ka rëndësi për qytetarët dhe bizneset
Rëndësia e këtyre reformave shkon përtej përdorimit të dokumenteve elektronike brenda Shqipërisë.
Portofoli evropian i identitetit digjital synon t’u mundësojë qytetarëve të identifikohen elektronikisht, të ruajnë dhe të paraqesin dokumente digjitale dhe të kryejnë veprime të sigurta në internet, edhe përtej kufijve kombëtarë.
Për qytetarët shqiptarë, përafrimi me këtë sistem do të krijonte mundësi për përdorimin e identitetit digjital në shërbime publike dhe private në vendet evropiane, sipas kushteve të njohjes reciproke.
Për bizneset, kjo mund të lehtësonte verifikimin e klientëve, nënshkrimin e dokumenteve dhe kryerjen e transaksioneve elektronike me partnerë jashtë vendit.
Banka Botërore vëren se Shqipëria ka bërë përparim në përdorimin e nënshkrimeve elektronike, por infrastruktura ekzistuese nuk është shndërruar ende në një sistem të përgjithshëm identiteti digjital që mund të përdoret drejtpërdrejt nga sektori privat për identifikimin e klientëve në distancë.
Ligji i ri është miratuar, mbetet përmbushja e kërkesave teknike
Një zhvillim me rëndësi pas periudhës së vlerësimit të Bankës Botërore është miratimi i ligjit nr. 51/2026, “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”, më 7 maj 2026.
Sipas Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ligji është përafruar plotësisht me rregulloret europiane eIDAS1 dhe eIDAS2 dhe krijon bazën ligjore për zhvillimin e portofolit shqiptar të identitetit digjital.
Ligji parashikon që portofoli të ofrohet pa pagesë për qytetarët dhe të mundësojë ruajtjen, menaxhimin dhe verifikimin elektronik të dokumenteve të identitetit, lejeve të drejtimit, diplomave dhe dokumenteve të tjera.
Miratimi i tij adreson një pjesë të mangësive ligjore të evidentuara gjatë përgatitjes së raportit. Megjithatë, përafrimi i legjislacionit nuk është i barasvlershëm me certifikimin teknik dhe njohjen ndërkombëtare të sistemeve. Për këtë arsye, mbetet e rëndësishme të verifikohet nëse Shqipëria ka përfunduar procedurat e certifikimit, ka akredituar organizmat përgjegjës dhe ka miratuar mekanizmat e nevojshëm për sigurinë dhe mbikëqyrjen e portofolit. /ekofin.al

