Shqipëria dhe Hungaria angazhohen për të rritur bashkëpunimin mes tyre. Në Budapest, Hungari u nënshkrua sot protokolli i sesionit të 3-të i Komisionit të Përbashkët ndërqeveritar për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve.
Protokolli u nënshkrua nga zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia dhe sekretari i shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Péter Andras Sztàray.
Ky protokoll përfshin çështje të bashkëpunimit ekonomik, tregtisë dhe investimeve ndërmjet dy vendeve në fusha si, energji, transport, menaxhimi i ujit dhe mbrojtja e mjedisit, bujqësi, turizëm, arsim dhe kulturë , etj.
Dy krerët e delegacioneve vlerësuan, gjatë këtij sesioni, bashkëpunimin e deritanishëm dhe diskutuan mbi hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren nga të dyja palët në vijim, në fushat me interes reciprok.
Përgjatë dy ditëve, ekspertët teknikë të këtyre fushave diskutuan mbi mundësitë dhe hapësirat për bashkëpunim, si dhe evidentuan mekanizmat dhe instrumentet që do të bëjnë të mundur implementimin e këtij protokolli.
Gjithashtu gjatë këtij Sesioni u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së dy vendeve, ku synohet rritja e investimeve hungareze në Shqipëri.
Aktualisht investimet hungareze në Shqipëri kapin një vlerë prej 91 milionë euro, ndërsa shkëmbimet tregtare mes dy vendeve për vitin 2020 llogariten 50 milionë euro.