Në Sofje të Bullgarisë u nënshkrua sot memorandumi tripalësh mes Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për sa i takon Korridorit 8, një hap i rëndësishëm i bashkëpunimit mes tre vendeve, për një ndër projektet më të rëndësishme për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se nënshkrimi i memorandumit për transportin e qëndrueshëm në Korridorin e 8-të është një hap i rëndësishëm i bashkëpunimit midis Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bullgarisë.
“Prej kohësh ne kemi punuar për të plotësuar të gjithë komponentët e këtij korridori, si një nga korridoret më të rëndësishme për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Tashmë me të gjitha projektet që kemi nisur si në fushën e hekurudhave, ashtu edhe në atë të rrugëve, por padyshim edhe porti i ri i Durrësit, na japin sigurinë se zhvillimi infrastrukturor do të jetë një sukses në të ardhmen”, tha ministrja Balluku.
Ministrja tha se me homologët e dy vendeve të tjera kishte diskutuar lidhur me hapat në të ardhmen.
“Kemi rënë dakord që një axhendë e përbashkët për të promovuar Korridorin e 8-të si një nga korridoret më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik jo vetëm për vendet tona, por edhe për vendet e tjera të rajonit, është një domosdoshmëri për axhendat e të tre ministrive të Infrastrukturës në të ardhmen”, tha Balluku.
Ajo e vlerësoi të rëndësishëm bashkëpunimin edhe sa i përket sigurimit të mbështetjes financiare nga institucionet financiare europiane.