Zyrtarët e shëndetësisë besojnë se domatet qershi nga ishulli mesdhetar janë “mjeti i infeksionit” në shpërthimin shumëvjeçar.
Qindra persona në mbarë Evropën janë sëmurë nga helmimi ushqimor gjatë dy viteve të fundit – dhe domatet e kontaminuara janë të dyshuarat kryesore, paralajmëruan autoritetet shëndetësore.
Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), deri në fund të shtatorit janë regjistruar 510 raste të konfirmuara të një lloji specifik të bakterit Salmonella në 18 vende evropiane që nga viti 2023.
Salmonella është një nga format më të zakonshme të helmimit ushqimor, që shkakton dhimbje barku, diarre dhe ethe.
ECDC beson se domatet qershi nga Sicilia janë “mjeti kryesor ushqimor” që po nxit shpërthimin, i cili lidhet me një lloj të bakterit të njohur si Salmonella Strathcona.
Hetuesit gjurmuan origjinën e këtij lloji deri te një fermer domatesh në Sicili. Ata gjetën bakterin në një mostër uji vaditës, çka “konfirmon rolin e mjedisit në ndotjen e domateve”, tha agjencia.
Gjatë shpërthimit shumëvjeçar, Italia ka raportuar numrin më të madh të rasteve (123), e ndjekur nga Gjermania (113), Austria (76), Mbretëria e Bashkuar (73) dhe Franca (43).
Trembëdhjetë vende të tjera evropiane – Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Irlanda, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja dhe Suedia – kanë raportuar secila më pak se 15 raste.
Shpërthimi ka kaluar edhe përtej Atlantikut, me Shtetet e Bashkuara që kanë regjistruar 24 raste dhe Kanadanë me 10.
Nuk është hera e parë që domatet e Sicilisë identifikohen si shkak i helmimit ushqimor nga ky lloj Salmonella. Sipas ECDC, ato ishin të lidhura me një shpërthim në Danimarkë në vitin 2011.
Agjencia kërkoi hetime të mëtejshme për të konfirmuar që domatet siciliane janë vërtet “mjeti i infeksionit” në këtë shpërthim, dhe theksoi se duhet bërë më shumë për të forcuar kontrollin bakterial gjatë sezonit të korrjes së domateve./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
