Shpenzimet në sistemin e pensioneve dhe përfitimeve, gjatë periudhës 2022–2024, kanë vijuar rritjen, duke arritur në 148.7 miliardë lekë në vitin 2024, ose 11% më shumë se në vitin 2023. Rritje shfaqen në të gjitha degët, me dallime të mëdha si në ritme ashtu edhe në vlerë.
Sipas raportit të KLSH-së, në degët specifike, shpenzimet për sëmundje u rritën nga rreth 600 milionë lekë në 2022 në 778.4 milionë lekë në 2024, me një rritje prej 11.5% ndaj 2023. Barrëlindja qytet u rrit me 20%, nga 4.5 milionë lekë në 2023 në 5.4 milionë lekë në 2024. Pensionet qytet, që zënë peshën më të madhe në total, u rritën me 11%, duke kaluar nga 128 miliardë lekë në 2023 në 142.5 miliardë lekë në 2024. Ndërkohë, shpenzimet për aksidente patën rritjen më të lartë në përqindje, 41%, nga 23 milionë lekë në 2023 në 33 milionë lekë në 2024, ndonëse mbeten të ulëta në vlerë absolute.
Në tërësi, degët e barrëlindjes dhe aksidenteve shfaqën rritjen më të lartë né %, ndërsa pensionet qytet vijojnë të mbajnë peshën kryesore të shpenzimeve.
Sa i përket skemës së qytetit, deficiti për vitin 2024 arriti në 14 miliardë lekë, nga 13 miliardë lekë në vitin 2023, një rritje që përfaqëson 0.04% të PBB. Për shkak se ritmet e rritjes së të ardhurave mbetën më të ulëta se rritja e shpenzimeve, deficiti i qytetit u zgjerua me 968 milionë lekë.
Ndryshe paraqitet situata në skemat e fshatit. Kontributet në vitin 2024 u rritën me 22% krahasuar me 2023, duke arritur në 9,8 miliardë lekë, ndërsa edhe barrëlindja në fshat dhe pensionet shënuan një rritje të njëjtë prej 22%, duke treguar stabilitet në rritjen e kontributeve nga zonat rurale. Shpenzimet totale të fshatit u rritën lehtë me 1.5%, në 13.4 miliardë lekë, duke reflektuar dy lëvizje të kundërta: pensionet në fshat u rritën me 2.8%, nga 12.8 miiardë lekë në 2023 në 13.1 miliardë lekë në 2024, ndërsa barrëlindja në fshat ra ndjeshëm me 35%, nga 463 milionë lekë në 2023 në 301 milionë në 2024. Rënia e barrëlindjes lidhet me uljen e popullsisë së moshës riprodhuese, emigrimin dhe zhvendosjen drejt zonave urbane.
Deficiti i skemës së fshatit për vitin 2024 rezultoi 3.6 miliardë lekë, nga 5.2 miliardë lekë në 2023, duke u ulur me 1.6 miliardë lekë dhe me 0.06% ndaj PBB, në vijim të trendit shumëvjeçar të tkurrjes së deficitit rural.
Megjithatë, të ardhurat nga kontributet, si në qytet, ashtu edhe në fshat, nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet e skemës së pensioneve, duke krijuar një deficit të vazhdueshëm. Në vitin 2024, deficiti total financiar i sistemit zbriti në -17.7 miliardë lekë, ose -0.71% të PBB, krahasuar me -18.3 miliardë lekë në 2023. Ky përmirësim prej 634.1 milionë lekësh, ose 0.03% të PBB, vjen kryesisht si rezultat i rritjes së të ardhurave për shkak të rritjes së pagave mesatare dhe numrit të kontribuuesve.
Megjithë përmirësimin e lehtë, skema e pensioneve vijon të mbetet me deficit, duke konfirmuar presionin në rritje mbi financat publike dhe nevojën për reforma të mëtejshme në sistem./ekofin.al