Pushteti vendor ka shënuar një rritje të ndjeshme të shpenzimeve për paga personeli gjatë periudhës janar–shtator 2025, duke reflektuar rritjen e pagave, por edhe fryrjen e administratës, ndërkohë që investimet kapitale vijojnë të jenë me ngecje.
Sipas të dhënave fiskale, shpenzimet e pushtetit vendor për vitin 2025 janë planifikuar në rreth 89.9 miliardë lekë, ndërsa në 9-mujorin e parë janë realizuar 58.7 miliardë lekë, krahasuar me 48.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kjo përbën një rritje prej rreth 9.8 miliardë lekësh, ose 20% më shumë se një vit më parë.
Struktura: dominojnë shpenzimet për personelin dhe ato operative
Në përbërje, shpenzimet për personelin zënë peshën më të madhe, me rreth 51% të totalit të shpenzimeve vendore, të ndjekura nga shpenzimet operative me 24%, investimet me mbi 19%, ndërsa subvencionet përbëjnë 2% dhe shpenzimet e tjera korente rreth 3.5%.
Shpenzimet për personel kanë arritur në 29.8 miliardë lekë, nga të cilat 25.6 miliardë lekë janë për paga dhe 4.2 miliardë lekë për sigurime shoqërore e shëndetësore. Krahasuar me 2024-n, kjo përbën një rritje prej 5.5 miliardë lekësh. Rritja pasqyron efektin e pagave, ku vetëm në buxhetin e vitit 2025 janë akorduar 3.5 miliardë lekë si transfertë e përgjithshme nga buxheti qendror për mbulimin e kësaj rritjeje.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes përbëjnë mbi 24% të totalit dhe janë rritur me 4% krahasuar me vitin 2024, duke arritur në 14.1 miliardë lekë, ose 582 milionë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo tendencë pasqyron konsolidimin e njësive të vetëqeverisjes vendore në ushtrimin e funksioneve të tyre, si dhe rritjen e nevojave për mirëmbajtje të projekteve të investuara vitet e fundit.
Dyfishim i subvencioneve dhe rritje e shpenzimeve korrente
Në 9-mujorin 2025, shpenzimet për subvencione janë realizuar në mbi 1.1 miliardë lekë, me rritje prej 800 milionë lekësh, ose dy herë më shumë se 9-mujori i vitit 2024. Ndërkohë, shpenzimet e tjera korrente kanë arritur në mbi 2 miliardë lekë, me rritje prej 199 milionë lekësh krahasuar me një vit më parë.
Këto fonde përdoren për mbulimin e politikave sociale dhe ndihmës ekonomike ndaj familjeve dhe individëve në nevojë, përfshirë bursa dhe transfertat sociale të tjera.
Investimet kapitale me rritje nga vjet, por me ritëm të ngadaltë ndaj planit
Deri në fund të shtatorit 2025, investimet kapitale janë realizuar në masën 11.4 miliardë lekë, me rritje nga viti i kaluar, 2.7 miliardë lekë ose 31%, por përsëri me ritëm të ngadaltë krahasuar me parashikimin e buxhetit të këtij viti.
Megjithatë, Financat kanë pritshmëri që deri në fund të vitit, shpenzimet kapitale të vijojnë në rritje, duke reflektuar zbatimin e projekteve publike në infrastrukturë, shërbime dhe zhvillim lokal./ekofin.al

