Në muajin dhjetor i përfundon mandati dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, përkahësisht zv/guvernatores së dytë, Natasha Ahmetaj dhe anëtarit Tonin Kola. Me këtë rast, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi procedurën paraprake për përzgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Në bazë të procedurave, në faqen e Kuvendit është publikuar edhe shpallja për aplikime, duke lënë si afat datën 8 dhjetor. Seanca e kësaj të enjteje në Komisionin e Ekonomisë nuk kaloi pa diskutime.
Deputeti i PD-së, Edmond Spaho kërkoi që të bëhet korrigjim në një prej neneve të rregullores për përzgjedhjen e anëtarëve, konkretisht në atë që ka të bëjë me mbledhjen e 28 firmave nga deputetë të Kuvendit para se të shkosh në seancë. Kjo sipas tij, pasi interesi është plotësimi i vakancave me kandidatura sa më profesionale, sidomos për institucione të tilla si BSH, AMF, etj.
“Sot nuk ka institucion që të mos emërohet nga partitë. Qëllimi është të emërojmë profesionistë. Sa kohë që do të shkojë në Kuvend për sa duhen të merren 28 firma paraprakisht?. Kemi nevojë të distancohemi nga politika “, tha Spaho.
Ndërsa deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti tha se “propozimi i Spahos duhet konsideruar në një afat të gjatë dhe jo sot që jemi para faktit që duhet të shpallim vakancën në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë“.
“Ndryshimi duhet të jetë në rregullore. Duhet të mblidhen grupet parlamentare për të ndryshuar rregullore, pasi kjo shkon përtej kompetencës së një komisioni”, tha ajo.
Në të njëjtën linjë ishte dhe kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi i cili kërkoi që propozimi për ndryshimin e rregullores të shkojë në Konferencën e Kryetarëve.