Projektligji për Shoqëritë Evropiane të Bashkëpunimit në konsultim publik synon të plotësojë boshllëkun ligjor që kufizon bashkëpunimin ndërkufitar dhe harmonizimin me BE-në.
Ligji ekzistues për shoqëritë tregtare dhe ai për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor nuk adresojnë aspektet ndërkombëtare dhe modelet e posaçme të qeverisjes që kërkon forma e Shoqërive Evropiane të Bashkëpunimit (SHEB).
Përfitimet kryesore përfshijnë nxitjen e investimeve të huaja dhe bashkëpunimit rajonal përmes një forme të re partneriteti që mund të sjellë kapital, njohuri dhe tregje të reja. Gjithashtu pritet që ky ligj të mundësojë forcimin e sektorit të ekonomisë sociale, si dhe përmirësimin e klimës së biznesit dhe inovacionit.
Projektligji vendos kapital minimal prej 30,000 €, parashikon sisteme drejtimi me një ose dy nivele, dhe garanton përfshirjen e punëmarrësve në vendimmarrje. Ai ngarkon QKB-në me regjistrimin dhe monitorimin e SHEB-ve, përfshirë trajnimin e stafit dhe përditësimin e infrastrukturës IT.
Në përputhje me parimin e modiskriminimit me seli në Republikën e Shqipërisë trajtohet si një shoqëri bashkëpunimi vendase.
Kostoja e zbatimit të ligjit për Shoqëritë Evropiane të Bashkëpunimit (SHEB) vlerësohet rreth 450 mijë euro, ku 250 mijë euro për sektorin publik (trajnim për rreth 50 punonjës dhe përmirësim të sistemeve IT të QKB-së për regjistrimin e SHEB-ve dhe lidhjen me BRIS), të mbuluara nga buxheti ekzistues dhe fondet IPA të BE-së, pa kërkuar zë buxhetor të ri; 200 mijë euro për sektorin privat (rreth 2,000 euro për themelimin e një SHEB-je për tarifa administrative, noterizime dhe këshillim ligjor), si investim i vetë bizneseve.
Sipas relacionit, të ardhurat për buxhetin nga tarifat e regjistrimit e publikimeve do të jenë modeste, por në afatmesëm/afatgjatë pritet një ndikim pozitiv për shkak të rritjes së aktivitetit ekonomik. Nëse krijohen 100 SHEB në 5–10 vite, ato mund të gjenerojnë deri në 50 milionë euro të ardhura shtesë në ekonomi. Kjo do të thotë rritje e bazës tatimore (TVSH nga shitjet, tatim-fitim nga fitimet e tyre, kontribute shoqërore nga vendet e reja të punës, etj.). Në mënyrë illustrative, nëse çdo SHEB krijon mesatarisht 10 vende të reja pune me pagë mesatare 5,000 EUR në vit, do të kishim 1,000 vende pune shtesë që do të gjeneronin rreth 5,000,000 EUR paga totale në vit.
Sa i përket efektit në shpenzimet publike afatgjata, nuk parashikohet që ky ligj të rrisë shpenzimet vjetore të administratës publike në mënyrë të qëndrueshme./ekofin.al
