Ashtu siç nisi edhe në muajt e parë, viti 2024 është projektuar të jetë viti ku shoqëritë e sigurimit po paguajnë një shifër të konsiderueshme dëmesh. Sipas të dhënave të publikuara nga AMF, dëmet e paguara bruto për 9-mujorin arritën në rreth 6.2 miliardë lekë, ose 25.7% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Pjesën më të madhe të dëmeve e mban sigurimi motorik, me 4.5 miliardë lekë dëme të paguara, me një rritje prej afro 26.7%. Kjo kategori siguri zë rreth 73.6% të totalit të dëmeve të paguara në tregun e sigurimeve. Mbi 3 miliardë lekë dëme, ose 31 milionë euro, janë paguar vetëm në sigurimin TPL për 9-mujorin e parë të vitit.
Tregu i sigurimeve të Jo-Jetës mban prej vitesh tashmë peshë kryesore, si në dëme, ashtu edhe në prime. Për periudhën janar-shtator 2024, 8 shoqëritë që operojnë në tregun e Jo-Jetës kanë paguar rreth 5.5 miliardë lekë dëme, ose 24.86% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar, kur ishin paguar rreth 4.4 miliardë lekë.
4 shoqëritë e sigurimit që operojnë në tregun e Jetës kanë paguar 253 milionë lekë dëme gjatë 9-mujorit të këtij viti, me një rritje prej 17.7% krahasuar me një vit më parë. Pjesa tjetër e dëmeve i takon pagesave Fond Kompensimi, ku për 9-mujorin janë paguar 383 milionë lekë, të ndara si FK dhe pjesë tjetër si sigurues i drejtpërdrejtë.
Referuar praktikave të dëmeve, rezulton se ka një rritje të ndjeshme të tyre në sigurimin e Jo-Jetës. Në 9-mujorin e këtij viti janë paguar rreth 51 mijë dosje dëmesh, ose rreth 19% më shumë sesa vitin e kaluar. Këtu impakt vijon të luajë Raporti Europian i Aksidenteve, për zgjidhjet me marrëveshje të dëmeve deri në 30.000 lekë. Në anën tjetër, në sigurimin e Jetës, praktikat e dëmeve rezulton në rënie krahasuar me një vit më parë. Kështu, shoqëritë e Jetës kanë paguar 2648 dosje dëmesh në periudhën janar-shtator 2024, ose rreth 23% më pak se një vit më parë. /ekofin.al
