Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë dhe Deutsche Sparkassenstiftung für internationale Kooperation kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, në kuadër të projektit “Just Transition: Regional project on the sustainable transformation of the financial sectors of Albania”, duke shënuar një hap të rëndësishëm për zhvillimin dhe modernizimin e tregut shqiptar të sigurimeve.
Marrëveshja u firmos nga Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, Mimoza Hajdarmataj dhe Irma Shkrepa, Menaxhere e Deutsche Sparkassenstiftung Albania.
Ky bashkëpunim synon të mbështesë transformimin e qëndrueshëm të sektorit të sigurimeve në Shqipëri, përmes forcimit të kapaciteteve profesionale, promovimit të edukimit financiar dhe rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve mbi rëndësinë e sigurimeve dhe menaxhimit të riskut.
Në fokus të marrëveshjes do të jetë zhvillimi i aktiviteteve të përbashkëta trajnuese dhe informuese për industrinë e sigurimeve, si edhe shkëmbimi i eksperiencave dhe praktikave më të mira europiane në funksion të një tregu më të zhvilluar, transparent dhe të orientuar drejt mbrojtjes së konsumatorit.
Një nga shtyllat kryesore të bashkëpunimit lidhet me edukimin financiar, i cili konsiderohet një element kyç për rritjen e besimit të qytetarëve ndaj produkteve financiare dhe sigurimeve. Përmes këtij partneriteti synohet që publiku të informohet më mirë mbi rëndësinë e sigurimit të jetës, pronës, shëndetit dhe mjeteve motorike, si edhe mbi rolin që sigurimet luajnë në mbrojtjen financiare të familjeve dhe bizneseve.
Palët vlerësojnë se zhvillimi i një kulture më të gjerë financiare dhe sigurimesh në vend do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e përfshirjes financiare, përmirësimin e standardeve të tregut dhe afrimin gradual të sektorit shqiptar me praktikat dhe standardet e Bashkimit Europian.
Në kuadër të memorandumit, pritet të organizohen trajnime, seminare, fushata ndërgjegjësuese dhe aktivitete të tjera që do të kontribuojnë në rritjen e njohurive financiare, si për profesionistët e tregut, ashtu edhe për qytetarët.
Deutsche Sparkassenstiftung është një organizatë ndërkombëtare me eksperiencë të gjerë në mbështetjen e zhvillimit të sektorëve financiarë dhe edukimit financiar në vende të ndryshme, ndërsa bashkëpunimi me Shoqatën e Siguruesve shihet si një mundësi për të sjellë ekspertizë dhe modele të suksesshme europiane edhe në tregun shqiptar.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë thekson se kjo marrëveshje përfaqëson një hap konkret drejt modernizimit të industrisë së sigurimeve dhe krijimit të një tregu më të qëndrueshëm, inovativ dhe të orientuar drejt nevojave të konsumatorëve. /ekofin.al
