Dhjetori i vitit 2024 është afati i fundit për të lidhur aktmarrëveshjen me OSHEE-në për debitë e papaguara të faturave të energjisë elektrike. Aktmarrëveshja do t’u mundësojë qytetarëve pagesën me këste të detyrimit, si dhe në disa raste uljen e kamatëvonesave nga 50 deri 100 për qind.
Aktualisht, niveli i debisë apo faturave të papaguara kundrejt OSHEE-së arrin rreth 85 miliardë lekë, ku përveç bashkive dhe institucioneve të tjera apo bizneseve, pjesën madhore të debisë e zënë familjarët me faturat e papaguara ndër vite. Mospranimi për lidhjen e aktmarrëveshjes pas afati të caktuar, do të ketë pasojë ndërprerjen e energjisë elektrike dhe mbledhjen e detyrimit me forcë. Nga njoftimi i kompanisë në fillim të këtij muaji deri më tani rezultojnë rreth 600 aktmarrëveshje të nënshkruara, 300 prej të cilave nga familjarët janë realizuar me një pagesë të menjëhershme.
Përfituesit e parë nga skema e OSHEE-së për shlyerjen e debive do të jenë pensionistët me një tarifë fikse mujore prej 1200 lekë. Bashkë me ta, edhe klientë familjarë që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe klientët me status të veçantë. Abonentët e tjerë familjarë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 2800 lekë, ndërsa klientët jofamiljarë, buxhetorë dhe jobuxhetorë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste të përcaktuara që variojnë nga 24 deri në 120 këste, bazuar në vlerën e debisë. Pra, në bazë të vlerës së debisë bëhet edhe përcaktimi i kësteve që ata do të shlyejnë.
Çdo familjar duhet të paraqitet në zyrat e OSHEE-së për të sqaruar me procedurën dhe dokumentet që nevojiten për të lidhur aktmarrëveshjen. Kusht për t’u futur në marrëdhënie me OSHEE-në është likuidimi i rregullt i faturave për vitin 2023 e në vijim. Marrëveshja vlen vetëm për detyrime të akumuluara deri në dhjetorin e vitit 2022. Në skemat e aktmarrëveshjeve, që do të zbatohen gjatë këtij viti, do të përfshihen gjithashtu edhe detyrimet e papaguara nga faturat, dëmi ekonomik, fatura sistemuese, fatura testim matësi, fatura korrektive, që i përkasin vitit 2023 e në vijim.
Familjarët që do të kryejnë pagesë të menjëhershme, kamatëvonesa falet në masën 70 për qind. Për klientët jofamiljarë buxhetorë dhe jobuxhetorë përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 50 për qind, ndërsa kategoria klientë jo familjarë biznes i vogël përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 100 për qind. Në këtë rast, biznesi i vogël është i favorizuar nga kamatëvonesës. Për t’u theksuar është fakti se nga lehtësirat e aplikueshme, OSHEE ul vetëm masën e kamatëvonesave, por jo të vlerës së energjisë elektrike të shpenzuar.
