100 magazina të tregtarëve janë shkrumbuar. Mundi i shumë viteve iu dogj tregtarëve para syve, pas flakëve masive që përfshinë 2 magazinat e tregut të rrobave që ndodhen në lagjen 5 Maji në Tiranë. Një ditë pas flakëve të fuqishme, Report Tv u kthye sërish në vendngjarje dhe sjell pamje apokaliptike me dron. Gjithçka është e shkrumbuar dhe tregu i rrobave është kthyer në hi.
Forcat zjarrfikëse u rikthyen sot sërish në zonë, pasi disa vatra u riaktivizuan dhe po punohet për të mbajtur në kontroll situatën. Shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike. Report Tv ka siguruar edhe videon nga momenti kur nis zjarri, fillimisht dallohen pak flakë të cilat më pas nisin të përhapen me shpejtësi, edhe për shkak të materialit tekstil. Nga pamjet e kamerave të sigurisë shfaqen flakët, të cilat, sipas ekspertëve, paraprakisht dyshohen prej elektricitetit, prej ngjyrës karakteristike. 2 kapanonet e djegura A dhe B kanë më shumë se 100 magazina, me një sipërfaqe totale rreth 10 mijë metër katror.
Tregtarët thonë se ambientet i kishin të pasiguruara. Ata shprehen se paguanin vetëm qiranë pranë sh.a. “Uzina Dinamo”, e cila varionte nga 38 deri në 45 mijë lekë të rinj në muaj, në varësi të sipërfaqes së ambienteve. Tregtarët flasin edhe për dëmet që u janë shkaktuar në vlera deri në 200 mijë euro.
“Unë kam pasur dyqanin më të vogël këtu. Vlera e mallit sa të duash mbi 200 milionë lekë, po të tjerët që kanë më shumë. Unë tregtoja çorape, geta, streçe. Vajza ime kishte dy dyqane.
Jemi në qiell të hapur. Asnjëherë nuk na kanë kërkuar të iknim. Nuk i kemi pasur të siguruara bizneset, nuk na i siguronin. Kemi shkuar tek sigurimet dhe me këtë lloj ndërtimi nuk e merrnin përsipër. Unë paguaja 517 mijë lekë, vajza më shumë se 1 mln lekë. Ka plas zjarri tek panelet, nuk është për fajin tonë. E gjithë jeta jonë ishte këtu. Nuk kam ku të shkoj.”
“Unë jam një nga tregtarët që jam dëmtuar më shumë. Kisha thuajse gjysme kapanoni. Dy kapanonet e tjera mund të ishin shpëtuar. Zjarrfikëset jashtë standardeve. Policia bënte sehir”, rrëfejnë tregtarët. Ata dyshojnë se pas zjarrit mund të qëndrojnë interesa të ndërtuesve, që mund të synojnë të ndërtojnë aty kulla.
Do të jetë grupi hetimor që do të përcaktojë shkaqet e zjarrit, ndërsa 5 automjete të forcave zjarrfikëse janë ende në terren për të mbajtur nën monitorim vatrat aktive të zjarrit. /Shqiptarja.com
