Ekofin.al raportoi mbi një urdhër të Ministrisë së Arsimit për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor jopublik “Rreze Drite”, një shkollë e arsimit bazë e licencuar që prej vitit 1999. Vendimi, i firmosur nga zëvendësministrja e Arsimit Orjana Osmani dhe botuar në Fletoren Zyrtare, vjen në zbatim të ligjit “Për sistemin arsimor parauniversitar”, duke shfuqizuar njëkohësisht edhe urdhrin e dhënies së lejes së funksionimit të institucionit.
Ekofin.al komunikoi me Ministrinë e Arsimit dhe Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar, të cilët saktësuan se mbyllja e licencës është bërë me kërkesë të vetë institucionit, pasi kishte aplikuar ndërkohë për një licencë të re dhe për ndryshim emri në “Rreze Drite ‘99”. Pra, raportimi i ekofin.al për mbylljen e licencës së shkollës “Rreze Drite” është i saktë dhe i bazuar në publikimin në Fletore Zyrtare.
De fakto, shkolla nuk mbyllet, por do ndryshojë emër dhe licencë, që për të cilën si rregull duhet edhe të kishte informuar opinionin dhe prindërit, për të shmangur edhe konfuzionin me vendimin e Ministrisë së Arsimit të publikuar në Fletore Zyrtare dhe të pasqyruar në mënyrë korrekte nga media jonë. /ekofin.al


