Shoqëritë e Kursim-Kreditit kanë vijuar zgjerimin edhe në tremujorin e parë të vitit 2026, duke shënuar rritje të aktiveve, huave dhe depozitave krahasuar me fundin e vitit 2025.
Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, totali i aktiveve të SHKK-ve arriti në 19.72 miliardë lekë në fund të tremujorit të parë 2026, nga 19.39 miliardë lekë që ishte në tremujorin e katërt 2025. Kjo përfaqëson një rritje me rreth 328 milionë lekë, ose 1.7% brenda një tremujori.
Pjesa kryesore e aktiveve vijon të përbëhet nga mjetet financiare, të cilat u rritën nga 18.43 miliardë lekë në fund të vitit 2025 në 18.74 miliardë lekë në tremujorin e parë 2026. Rritja më e rëndësishme vjen nga portofoli i huave, që mbetet aktiviteti bazë i SHKK-ve. Huatë arritën në 14.47 miliardë lekë, nga 14.27 miliardë lekë në tremujorin e mëparshëm, me një shtesë prej rreth 201 milionë lekësh, ose 1.4%.
Kjo do të thotë se huatë zënë mbi 73% të totalit të aktiveve të sektorit, duke konfirmuar rolin e SHKK-ve si institucione të orientuara kryesisht drejt financimit të anëtarëve dhe ekonomive familjare apo aktiviteteve të vogla në komunitet.
Në anën e aktiveve, rritje kanë shënuar edhe depozitat e transferueshme, nga 1.02 miliardë lekë në 1.10 miliardë lekë, me një zgjerim prej 7.6%. Depozitat e tjera u rritën më lehtë, në 2.31 miliardë lekë. Ndërkohë, investimet në letra me vlerë ranë nga 574.9 milionë lekë në 535 milionë lekë, me një tkurrje prej rreth 6.9%.
Kapitali i SHKK-ve ka shënuar gjithashtu rritje të dukshme. Aksionet dhe instrumentet e tjera të kapitalit arritën në 3.83 miliardë lekë, nga 3.69 miliardë lekë në tremujorin e katërt 2025, me një rritje prej 3.6%. Kjo tregon forcim të bazës së kapitalit të sektorit, ndërsa huatë e marra nga SHKK-të mbetën pothuajse të pandryshuara, në rreth 2.55 miliardë lekë.
Të dhënat e tremujorit të parë 2026 tregojnë një sektor të kursim-kreditit në rritje të moderuar, por të qëndrueshme. Zgjerimi i aktiveve, rritja e portofolit të huave dhe forcimi i kapitalit sinjalizojnë vijimësi të aktivitetit financiar të SHKK-ve, ndërsa rënia e investimeve në letra me vlerë tregon një orientim më të madh drejt kreditimit. /ekofin.al
