Prej disa ditësh, si pasojë e ndryshimeve drastike të motit, me reshje shiu e bore dhe temperatura të ulëta, rrjeti i shpërndarjes në disa zona të vendit pati pasoja duke shkaktuar probleme me furnizimin me energji elektrike për abonentët.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, në vijim të planit të masave për organizimin e punës në 11 drejtoritë rajonale, angazhoi në terren afro 2200 punonjës të brigadave të avarive, me qëllim eliminimin në kohë sa më të shpejtë të defekteve në fiderat dhe linjat e tensionit të mesëm.
Puna në terren u vështirësua dhe nga vërshimi i ujërave të lumenjve që në disa zona dolën nga shtrati siç ishte lumi Vjosa.
Nisur nga kjo situatë, OSSH ishte e detyruar të stakonte për masë sigurie disa fidera duke lënë pa tension disa kabina dhe nënstacione, siç ishte NST Grapsh dhe linja 35kV Ballsh-Poçem për efekt sigurie.
Në ndihmë të grupeve të tensionit të lartë të OSSH u afruan dhe grupet e avarisë së OST të cilat së bashku mundësuan riparimin e shpejtë të defektit dhe rikthimin e energjisë në pjesën më të madhe të abonentëve.
Defektet më të mëdha u shfaqën në zonat malore të Korçës, Burrelit dhe Dibrës.
Në këto zona vijon puna për riparimin e defekteve megjithëse terreni malor dhe ngricat vështirësojnë punën e grupeve të OSSH.
Në zonën e Korçës, defektet në rrjetin e OSSH u shkaktuan dhe nga palët e treta siç janë dy HEC-et Gjoka dhe Nica që operojnë në zonën e Korçës.
Përcjellat e tyre të djegur ranë mbi fiderat e OSSH duke lënë pa energji prej disa ditësh zonat Velçan, Strelcë, Moglicë, Lozhan, Senisht dhe Tresovë.
Në zonën e Dibrës, vijon puna për vendosjen e shtyllave të rrëzuara në fiderin Sllovë, përgjatë aksit Ceren dhe Vosijë.
Në Gjirokastër vijon puna për rikthimin e linjës 35 kv Gjirokastra 2-Grapsh në punë dhe normalizimin e situatës me furnizimin me energji elektrike për zonat Zagori, Grapsh, Dropull i Poshtëm dhe Dropulli i Sipërm.
OSHEE njofton se, në zonën e Shkodrës është vendosur në punë fideri i Kelmendit dhe një pjesë e kabinave në segmentin Lepushë-Budac dhe është rikthyer energjia në zonat që furnizohen me energji nga ky fider.