Projekti “Dritarja e Vetme Kombëtare për Doganat” ka hyrë në fazën finale, ndërsa pritet miratimi i nismës dhe vënia e saj në zbatim. Drejtori i Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator në Ministrinë e Financave, z. Edmond Ahmeti thekson se nisma ndodhet në fazën përfundimtare të miratimit nga Këshilli i Ministrave dhe synon ngritjen e një sistemi të unifikuar elektronik, ku doganat dhe autoritetet e tjera publike do të shkëmbejnë në mënyrë të koordinuar dokumentet dhe informacionin për procedurat doganore dhe jodoganore.
Sipas tij, ky model modern administrimi do të rrisë transparencën, do të përmirësojë llogaridhënien institucionale dhe do të ulë ndjeshëm barrën administrative për biznesin, duke harmonizuar praktikat vendase me standardet më të mira ndërkombëtare. Z. Ahmeti udhëheq proces si nga këndvështrimi rregullator, ashtu edhe sa i përket hartimit të akteve të nevojshme dhe garantimit të përputhshmërisë ne kuadrin ligjor shqiptar dhe përshtatjes e ndërlidhjes me legjislacionin evropian.
Projekti i “Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat” (National Single Window) përbën një reformë kyçe për modernizimin dhe digjitalizimin e procedurave doganore në Shqipëri, duke qendërzuar në një platformë të vetme të gjitha procedurat e importit, eksportit dhe tranzitit, e cila do të menaxhohet nga Administrata Doganore. Përmes këtij sistemi, bizneset do të dorëzojnë informacionin vetëm një herë, ndërsa platforma do ta shpërndajë automatikisht tek institucionet përkatëse, duke mundësuar verifikime të automatizuara dhe koordinim më efikas të kontrolleve.
Platforma pritet të sjellë përfitime konkrete për ekonominë dhe administratën publike, pasi shkëmbimi automatik i të dhënave, analiza e integruar e riskut dhe koordinimi ndërinstitucional do të reduktojnë hapësirat për evazion dhe abuzim, duke rritur transparencën dhe kontrollin. Njëkohësisht, bizneset do të përfitojnë nga ulja e kohës në kufi, reduktimi i kostove dhe rritja e parashikueshmërisë në procedurat tregtare.
“Dritarja e Vetme Kombëtare” përbën gjithashtu një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, pasi është konceptuar në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe kontribuon drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesave të Kapitullit 29 “Bashkimi Doganor”. Kjo nismë lidhet edhe me detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Lehtësimin e Tregtisë në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë, ndërsa zbatimi i saj mbështetet nga Banka Botërore përmes programit për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor.
