Posta Shqiptare ka qenë e vetmja kompani me autorizim individual për ofrimin e Shërbimit Universal Postar (SHU), me një afat 5-vjeçar që skadon në korrik 2025. AKEP ka filluar procesin e analizës së tregut për të vlerësuar nëse ekzistojnë operatorë të tjerë që përmbushin kriteret për të ofruar këtë shërbim në mënyrë të barabartë me Postën Shqiptare.
Sipas analizës së performancës së Postës Shqiptare për vitin 2024, treguesi i performancës së cilësisë së shërbimit universal postar brenda qytetit për periudhën janar – dhjetor 2024 është realizuar 96.8% nga 95% që është standardi i miratuar me rregullore të AKEP. Shërbimi ndërmjet qyteteve është realizuar 96.5% nga 85% që është standardi, ndërsa ndërmjet fshatrave është realizuar 85.3% më e lartë se 60% që është standardi i miratuar.
Një nga problematikat kryesore është niveli i ulët i dorëzimit të pakove në adresën e marrësit, sidomos në Tiranë. Vetëm 43.1% e dërgesave janë dorëzuar në adresë. Kjo lidhet me mungesë të mjeteve të transportit (për shkak të përfundimit të kontratave të leasing-ut) adresa të paplota ose të pasakta, apo edhe vetë preferencat e klientëve për të tërhequr vetë dërgesat.
Krahasimi i tarifave me vendet e BE-së
Analiza e AKEP evidenton mospërputhje në strukturën e tarifave të Postës Shqiptare.
Raporti apo diferenca në përqindje midis tarifave të objekteve postare ndërkombëtare dhe kombëtare të Posta Shqiptare është shumë më e lartë se raporti/diferenca përkatëse e tarifave mesatare të objekteve postare ndërkombëtare/brenda vendit në vendet e BE dhe jo BE:
Më konkretisht, tarifa për letër 20g ndërkombëtare (poste ajrore) e PSH është rreth 225% (3.2 herë) më e lartë se tarifa për letër brenda vendit, krahasuar me 38% në vendet anëtare të BE, dhe 69% në vendet joanëtare të BE (non-EU);
Ndërsa, tarifa për pako 2kg ndërkombëtare (poste ajrore) e PSH është 3900% (40 herë) më e lartë se tarifa për pako 2kg brenda vendit, krahasuar me 194% në vendet anëtare të BE, dhe 775% në vendet joanëtare të BE, ku dallon Maqedonia e Veriut me një diferencë 2653% (në nivel të ngjashëm me diferencën 2400% të PSH për transport në rrugë tokësore).
Këto tregojnë se tarifat nuk janë të rregulluara sipas kostove reale dhe kërkojnë rishikim urgjent për të stimuluar një shërbim efikas dhe të përballueshëm.
Procedura për përcaktimin e ofruesit të shërbimit
Me skadimin e mandatit të tanishëm të Postës Shqiptare AKEP ka një rol kyç në garantimin e një shërbimi postar universal modern, efikas dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.
Në përcaktimin e ofruesit/esve të shërbimit universal postar, AKEP-i në veçanti merr në konsideratë midis të tjerash pikat e aksesit të rrjetit postar të ofruesit të shërbimit universal postar.
Numri i këtyre pikave në nivel kombëtar duhet të jetë i tillë, që të sigurojë shërbimin universal postar një numri mesatar të popullsisë prej 5,500 banorë.
Nga të dhënat statistikore për vitin 2024 rezulton se përveç Postës Shqiptare asnjë subjekt tjetër i shërbimeve postare nuk i plotëson kriteret për të pasur një zyrë postare për 5.500 banorë.
Bazuar në të dhënat e Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2023, rezulton se popullsia e Shqipërisë është 2,402,113 banorë dhe për çdo subjekt postar që kërkon të ofrojë shërbimin universal duhet të ketë të paktën 514 zyra postare.
Po kështu, sipas nenit 9, pika 5 të VKM nr. 239, datë 02.05.2018, subjekti për ofrimin e shërbimit universal postar duhet të ketë jo më pak se 10% të të ardhurave të tregut postar.
Bazuar në të ardhurat e raportuara nga ofruesit e shërbimeve postare në Republikën e Shqipërisë për vitin 2024, vërehet se pjesën e tregut më të madhe për këtë tregues vazhdon ta mbajë Posta Shqiptare (rreth 51%), e ndjekur nga DHL me rreth 16%, United Transport me rreth 8%, Albanian Delivery Express me rreth 7%, dhe ofruesit e tjerë postarë përbëjnë rreth 17% të totalit.
Nëse konstatohet se vetëm një operator përmbush kushtet për ofrim të shërbimit në të gjithë territorin, AKEP do ta rilëshojë autorizimin individual këtij operatori, ndërsa në rast se ka më shumë se një operator të kualifikuar, atëherë përzgjedhja do të bëhet me procedurë konkurrimi publik.
Ndërsa analiza konfirmon se Posta Shqiptare ka ruajtur standarde të pranueshme cilësie, rritja e konkurrencës, përmirësimi i infrastrukturës dhe rishikimi i tarifave janë vendimtare për të ardhmen e tregut postar universal. /ekofin.al
