Sektori i ujitjes dhe kullimit në Shqipëri vijon të përballet me sfida të thella infrastrukturore dhe financiare, pavarësisht rëndësisë strategjike që ka për bujqësinë dhe sigurinë ushqimore. Sipas raportit të Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, në vitin 2024 bashkitë kanë përfituar një transfertë sektoriale prej 1.03 miliardë lekësh për menaxhimin e këtij shërbimi, funksion që iu delegua nga qeveria qendrore në vitin 2016.
Sipas raportimeve të bashkive 15,000 km kanale janë të dedikuara për ujitje dhe 16,500 km kanale janë të destinuara për kullim. Vetëm 47% e tokave bujqësore janë të pajisura me infrastrukturë ujitëse dhe kulluese.
Shkalla e mirëmbajtjes së kanaleve është e ulët, afro 23% për kanalet e ujitjes që do të thotë se shumica e tyre janë në gjendje të degraduar ose jashtë funksionit dhe 13% për kanalet e kullimit, duke rritur rrezikun e përmbytjeve dhe dëmtimit të tokave bujqësore.
Sipas IBSh-së, mungesa e investimeve sistematike dhe pamjaftueshmëria e fondeve po pengojnë seriozisht mirëmbajtjen dhe përmirësimin e rrjetit ekzistues. Bashkitë, veçanërisht ato me zona të mëdha bujqësore, përballen me mungesë kapacitetesh teknike dhe financiare për të garantuar një menaxhim efektiv të sistemit. Shpenzimet emergjente për përballimin e përmbytjeve apo periudhave të thatësirës rëndojnë më tej buxhetet vendore.
Instituti për Bashkitë rekomandon një sërë masash për përmirësimin e situatës, përfshirë ndërhyrje të targetuara në zonat me intensitet të lartë bujqësor; përdorimin e teknologjive të reja për monitorimin dhe menaxhimin e rrjeteve të ujitjes; ndryshimin e modelit të financimit përmes një mekanizmi të përbashkët që përfshin qeverinë qendrore, bashkitë dhe kontribuuesit privatë; hartimin e një strategjie kombëtare për menaxhimin e qëndrueshëm të sektorit.
Një tjetër pikë e rëndësishme e ngritur nga raporti është edhe nevoja për rishikimin e modelit të administrimit të 630 liqeneve artificiale në vend. Këto burime ujore, përveç rëndësisë së tyre në ujitje, kanë funksione të rëndësishme në përballimin e përmbytjeve dhe menaxhimin e thatësirave, veçanërisht në kushtet e ndryshimeve klimatike. Aktualisht, statusi i paqartë i pronësisë dhe menaxhimit të tyre pengon shfrytëzimin efikas. Propozohet një model të ri për administrimin e tyre, që mundëson më shumë investime, efikasitet dhe qëndrueshmëri në afatgjatë. /ekofin.al
