Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialgoun strategjik me Kosovën.Vendimi i paprecedentë vjen për shkak të shqetësimeve amerikane në lidhje me veprimet e qeverisë së përkohshme të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
“Veprimet e qeverisë së përkohshme në Prishtinë kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.
Në njoftimin e ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se SHBA-të mbeten të përkushtuara për të çuar përpara interesat e përbashkëta të shteteve të bashkuara dhe popullit të Kosovës.
“Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri i përkohshëm Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, thuhet më tej në njoftim.
Lajmi u parapajmërua më herët gjatë ditës së sotme nga e ngarkuara amerikane me punë në Kosovë, Anu Pratipatti. Ndërkohë së fundmi kryeministri në detyrë Kurti ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për vonesa në vendime gjatë mandatit të tij si dhe e ka akuzuar Gjykatën më të lartë të shtetit për njëanshmëri dhe mbështetje ndaj partive të tjera shqiptare në Kosovë. Deri me tani nuk ka asnjë reagim nga qeveria në Prishtinë./VizionPlus

