Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e autoriteteve financiare për paratë e gatshme, ku është përmendur edhe dinari serb.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim, t’i adresojë shqetësimet e shprehura prej komunitetit ndërkombëtar dhe të ofrojë kohë për zbatim të vendimit, për të zbutur ndikimin që mund të ketë ai te banorët për të cilët vlen:
“Ne jemi të shqetësuar që rregullorja e miratuar më 27 dhjetor, do të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë. Sipas ligjeve të Kosovës, si dhe në bazë të zotimeve që ka marrë Kosova me Planin e Ahtisarit, Serbia ka të drejtë t’iu dërgojë ndihmë financiare pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë”.
Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.
Në rregulloren e BQK-së është thënë se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë janë e drejtë ekzekutive e saj.

