Eksportet globale të shërbimeve të ofruara në mënyrë digjitale arritën në 4.8 trilionë dollarë në vitin 2024, duke përfaqësuar më shumë se dy të tretat e eksporteve totale të shërbimeve.
Nga gjigantë si Amazon Web Services, te platformat globale të abonimeve streaming si Spotify, ekonomia digjitale po bëhet motori kryesor i rritjes së tregtisë së shërbimeve pa kontakt fizik.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Tregtisë, Shtetet e Bashkuara kryesojnë listën me 741 miliardë dollarë eksporte digjitale në 2024, ose 15% të totalit global. Këto përfshijnë jo vetëm aktivitetin shumë-miliardësh të reklamave të Meta dhe Google, por edhe arsimin online, shërbimet financiare dhe një gamë të gjerë shërbimesh të ofruara në distancë.
Britania e Madhe renditet e dyta me 488 miliardë dollarë eksporte. Rreth 3.2 milionë vende pune në vend lidhen sot me eksportet digjitale, të mbështetura nga sektorët e fuqishëm të teknologjisë dhe shërbimeve financiare.
Në vend të tretë, Irlanda regjistron 425 miliardë dollarë eksporte të shërbimeve digjitale. Ajo shënoi një rritje prej 24% në vitin 2024, ritmi më i shpejtë ndër 30 eksportuesit më të mëdhenj në botë. Pozicioni i saj si qendër evropiane për gjigantët teknologjikë – përfshirë Meta dhe Google – bën që një pjesë e konsiderueshme e shitjeve digjitale në Europë të regjistrohen për qëllime tatimore dhe kontabël në Irlandë, duke e lartësuar rolin e saj në ekonominë globale digjitale.
Ky dinamizëm thekson mënyrën se si ekonomia e shërbimeve po transformohet: eksportet digjitale jo vetëm po rriten me shpejtësi, por po bëhen boshti i konkurrueshmërisë globale në një treg ndërkombëtar që po dixhitalizohet gjithnjë e më shumë.

