Inflacioni i është kthyer rritjes në muajin qershor, ndikuar edhe nga rritja e çmimeve të grupit “argëtim dhe kulturë”, kjo edhe e lidhur ndoshta me nisjen e sezonit turistik. Kështu, inflacioni në qershor ka arritur në 2,4%, ndërkohë që në maj ishte 2,2%.
Sipas shifrave të publikuara këtë të martë nga INSTAT, ideksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Qershor 2025, arriti 119,2, kundrejt muajit Dhjetor 2020. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Qershor 2025 është 2,4 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 2,1 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Qershor 2025, krahasuar me Maj 2025 është -0,2 %.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Qershor 2024, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 6,8 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,5 % secili, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3,0 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,8 % secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,7 %, “Komunikimi” me 1,6 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,2 %, “Shërbimi arsimor” me 0,9 % dhe “Shëndeti” me 0,6 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 0,5 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” patën një rritje me 7,6 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 5,3 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 4,6 %, “mish” me 4,0 %, “peshk” me 2,4 %, “fruta” me 1,3 %, etj.
Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Maj 2025, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënuan ulje me 0,9 %, pasuar nga grupi “Veshje dhe këpucë” me 0,3 %. Nga ana tjetër çmimet e grupeve “Argëtim dhe kulturë” shënuan rritje me 0,5 %, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Transporti” me 0,3 % secili dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 %. /ekofin.al
