Parlamenti i Serbisë njoftoi se ka miratuar një ligj të posaçëm të krijuar për të përshpejtuar zhvillimin e një projekti madhor ndërtimor të udhëhequr nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Ligji “për procedura të veçanta për fillimin e projektit për ndërtimin e një kompleksi banesor dhe hoteli në vendin e ish-Ministrisë së Mbrojtjes së Jugosllavisë në Beograd” u miratua me 130 vota pro dhe 40 kundër në parlamentin me 250 deputetë.
Dikur një sit trashëgimie kulturore, kompleksi i ashtuquajtur “Generalstab” në qendër të Beogradit u dëmtua rëndë gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 mbi ish-Jugosllavinë. Statusi i mbrojtur i objektit kishte penguar për vite çdo zhvillim të ri. Megjithatë, në maj 2024, ministria e infrastrukturës nënshkroi një kontratë qiraje 99-vjeçare me kompaninë e investimeve të Kushner-it, Affinity Global Development, për “rivitalizimin” e zonës. Gjashtë muaj më vonë, qeveria e hoqi kompleksin nga regjistri i pasurive të paluajtshme kulturore, duke ia hequr kështu statusin e mbrojtur.
Ligji i miratuar të premten detyron të gjitha organet shtetërore dhe të qeverisjes vendore të nxjerrin pa vonesë aktet përkatëse që lidhen me zhvillimin e projektit të Kushner-it, duke theksuar rëndësinë e tij për zhvillimin ekonomik të përgjithshëm të Serbisë.
Në një deklaratë të përbashkët më herët këtë javë, organizatat kryesore evropiane dhe ndërkombëtare të trashëgimisë — EUROPA NOSTRA, International Council on Monuments and Sites (ICOMOS), DOCOMOMO International dhe The Architects’ Council of Europe (ACE) — shprehën “shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e vendosur” ndaj këtij ligji.
“Ligji i propozuar ‘Lex Specialis’ synon të pezullojë ligjet ekzistuese të Serbisë për trashëgiminë kulturore dhe mjedisin në lidhje me zbatimin e çdo projekti zhvillimor të ardhshëm që lidhet me kompleksin Generalstab. Miratimi i tij do të përbënte një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës në Serbi, veçanërisht duke qenë se Zyra e Prokurorit për Krimin e Organizuar aktualisht po heton vendimin e Qeverisë të datës 14 nëntor 2024 për heqjen e statusit të mbrojtur të sitit, i cili konsiderohet nga shumë si i paligjshëm,” thanë organizatat.
Në maj të këtij viti, Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar e Serbisë deklaroi se ish-drejtori i Institutit Shtetëror për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Goran Vasic, kishte pranuar se kishte falsifikuar një propozim për t’i hequr kompleksit Generalstab statusin e trashëgimisë kulturore — dokument që shërbeu si bazë për vendimin e qeverisë në nëntor 2024. Hetimet për këtë çështje vazhdojnë ende.
Projekti i planifikuar prej 500 milionë dollarësh (rreth 433 milionë euro), që Kushner ka deklaruar se do të përfshijë një hotel luksoz, një kompleks banesash me 1 500 njësi rezidenciale dhe një muze, ka hasur pkundërshtim nga banorët vendas. Mijëra persona protestuan kundër projektit para ndërtesës së Generalstab në përvjetorin e 26-të të bombardimeve të NATO-s, në mars.
Në zbatimin e projektit, Affinity Global Development po bashkëpunon me konglomeratin Trump Organization, në pronësi të Donald Trump, dhe me firmën e investimeve imobiliare Eagle Hills të biznesmenit arab Mohamed Ali Alabbar. /Përshtati nga Seenews, ekofin.al

