Të dhënat e raportuara nga AKPA-ja dhe Drejtoritë Rajonale të Punësimit dhe Aftësive për vitet 2023 dhe 2024, tregojnë një rritje të ndjeshme prej afro 14% në numrin total të të huajve të trajtuar për punësim dhe leje pune, duke kaluar nga 9,825 raste në vitin 2023 në 11,224 në vitin 2024. Kjo rritje pasqyron një interesim në rritje për tregun shqiptar të punës nga shtetas të huaj dhe, njëkohësisht, një zgjerim të aktiviteteve të menaxhimit institucional.
Analiza sipas qarqeve tregon se Tirana mbetet epiqendra kryesore e punësimit të të huajve, me një rritje prej rreth 30%, nga 4,207 raste në vitin 2023, në 5,477 raste në vitin 2024. Kjo rritje e fortë reflekton rolin e kryeqytetit si qendra kryesore ekonomike dhe administrative e vendit.
Shkodra shënon, gjithashtu, një rritje të ndjeshme, me 646 raste në vitin 2024, krahasuar me 435 në vitin 2023, çka sugjeron një rritje të kërkesës për fuqi punëtore të huaj në veri të vendit.
Elbasani përjeton një rritje të qëndrueshme, nga 331 në 2023 në 438 në 2024, duke treguar aktivizim të tregut rajonal të punës. Qarqe të tjera, si: Berati, Fieri, Vlora dhe Durrësi shfaqin rënie të lehta ose stabilitet, duke reflektuar ndoshta një treg më të konsoliduar ose ndryshime në dinamikat lokale të punësimit.
Nga ana tjetër, qarqe më të vogla, si: Dibra, Gjirokastra, Kukësi dhe Korça paraqesin një rritje graduale, por me shifra absolute ende modeste, duke sinjalizuar një shtrirje më të ngadaltë të prezencës së të huajve në këto zona për shkak të mungesës së mundësive të mëdha të punësimit apo infrastrukturës mbështetëse.
Shpërndarja e të huajve sipas sektorëve të punësimit
Sektori i akomodimit dhe shërbimi ushqimor (1,580 punëtorë) ka numrin më të madh të punonjësve, me një numër të konsiderueshëm punonjësish me kualifikim të lartë (1,502), si dhe një pjesë të vogël punëmarrësish dhe punëtorësh sezonalë (22). Ky sektor është tipik për turizmin dhe mund të tregojë një lidhje të fortë me migracionin sezonal, veçanërisht në rastin e punës sezonale (punëtorë stinorë).
Sektorët me punësim më të paktë janë shërbimet administrative dhe mbështetëse me një numër të vogël punonjësish (15) dhe nuk ka punëmarrës apo punësime sezonale, si dhe sektorë si furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave që, gjithashtu, ka një numër të vogël të punësuarish, me vetëm 15 individë të angazhuar, që mund të tregojë se ky sektor është më pak i kërkuar nga të huajt.
Në sektorë si akomodimi dhe shërbimi ushqimor, transporti dhe magazinimi, punëtorët stinorë janë të zakonshëm, duke sugjeruar migracion sezonal dhe lëvizje të punëtorëve në periudha të caktuara të vitit. Ndërsa sektori i akomodimit dhe shërbimi ushqimor ka të punësuar 1,580 individë nga gjithsej 11,224 punëtorë (14.07% e punësimit total).
Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave ka të punësuar 1,339 individë të huaj nga gjithsej 11,224 (11.91% e punësimit total). Aktivitetet të tjera shërbimi numërojnë 1431 individë nga gjithsej 11,224 (12.75% e punësimit total). Në ndërtim punojnë rreth 1,422 individë nga gjithsej 11,224 (12.67% e punësimit total).
Të huajt migrantë janë integruar kryesisht në sektorë si akomodimi dhe shërbimi ushqimor, ndërtimi, dhe tregtia, veçanërisht për individët që kërkojnë punë për periudha të caktuara të vitit, ndërsa sektorët si aktivitetet profesionale dhe teknike mund të tërheqin individë të pavarur që kërkojnë mundësi më të lira punësimi./ekofin.al

