Sipas të dhënave të paaudituara të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, totali i aktiveve dhe portofoli i kredisë së sektorit u zgjerua më tej, ndërsa të gjitha bankat e mbyllën gjysmën e parë të këtij viti me rezultat financiar me fitim.
Totali i aktiveve në fund të muajit qershor arriti në 2 trilion lekë, në rritje me rreth 33 miliard lekë që nga fillimi i vitit.
Me bazë vjetore, rritje e totalit të aktiveve të sektorit arriti në 7.3%, nga 6.1% që kishte qenë rritja në fund të tremujorit të parë.
Banka më e madhe për nga vlera e aseteve vazhdon të jetë Banka Kombëtare Tregtare (BKT), me 24.6% të tregut, e ndjekur nga Credins Bank, me 16.2%, Raiffeisen Bank, me 14.8%, Intesa Sanpaolo, me 10.5%, OTP Albania, me 9.1%, Tirana Bank, me 7%, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), me 6.8%, Union Bank, me 5.1%, Banka e Parë e Investimeve (Fibank), me 2.9%, ProCredit Bank me 2.2% dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 1%. Bankat që e kanë rritur peshën e tyre të tregut krahasuar me një vit më parë janë Tirana Bank, Credins Bank, UBA, Fibank dhe Union Bank.
Rënia e peshës së tregut në 12 muajt e fundit regjistrojnë Raiffeisen, BKT, Abi Bank, OTP Albania dhe Intesa Sanpaolo, ndërsa ProCredit Bank ruan të njëjtën peshë tregu sa një vit më parë.
