Në një kohë kur ekonomitë po përballen me pasiguri globale dhe transformime të shpejta teknologjike, Banka e Shqipërisë po e zhvendos fokusin edhe te një tjetër aset strategjik: edukimi financiar dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me Drejtoren e Qendrës së Ekselencës Financiare (CEF), Jana Repan, ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën e edukimit financiar, trajnimit profesional dhe rritjes së kapaciteteve institucionale.
Gjatë takimit, Sejko vlerësoi rolin e CEF si një partner i rëndësishëm rajonal në zhvillimin e ekspertizës financiare dhe administrative, ndërsa theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për të rritur njohuritë financiare të qytetarëve dhe për të forcuar aftësitë profesionale të administratës publike dhe sektorit financiar.
Sipas njoftimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, bashkëpunimi me CEF synon rritjen e kapaciteteve profesionale të institucioneve publike dhe financiare, promovimin e edukimit financiar për qytetarët dhe bizneset, shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, zhvillimin e trajnimeve të specializuara për administratën dhe sistemin financiar.
Takimi vjen në një moment kur ekonomia shqiptare po kërkon të rrisë konkurrueshmërinë dhe produktivitetin, ndërsa bizneset dhe institucionet përballen me nevojën për staf më të kualifikuar dhe vendimmarrje më të mirë financiare.

