Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi sot një takim me drejtues të Bankës Botërore, në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional për forcimin e stabilitetit financiar dhe avancimin e reformave në sektorin financiar në vend. Në takim morën pjesë Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, dhe Martha Licetti, Menaxhere për Financat, Konkurrueshmërinë dhe Inovacionin për rajonin e Ballkanit.
Gjatë bisedimeve, Sejko vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore për Shqipërinë, veçanërisht në drejtim të asistencës teknike dhe projekteve që lidhen me përmirësimin e kuadrit rregullator, forcimin e mbikëqyrjes dhe zhvillimin e tregjeve financiare. Ai paraqiti një panoramë përgjithësisht pozitive të zhvillimeve ekonomike në vend, duke theksuar se treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar dhe financiar mbeten në një trajektore të qëndrueshme, pavarësisht pasigurive të vazhdueshme në mjedisin global.
Në këtë kontekst, Guvernatori nënvizoi se vendimmarrja për politikën monetare do të vijojë të mbështetet në analizën e të dhënave më të fundit, me fokus ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe koordinimin me politikën fiskale dhe zhvillimet në kursin e këmbimit. Diskutimet u ndalën edhe te prioritetet e reformave në sektorin financiar dhe projektet që mund të mbështeten në kuadër të programit të ardhshëm të Development Policy Lending (DPL) 2026–2027, që pritet të luajë rol kyç në mbështetjen e reformave strukturore.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe procesit të Financial Sector Assessment Program (FSAP), ku palët diskutuan pritshmëritë dhe prioritetet që lidhen me këtë vlerësim të rëndësishëm për qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Në vijim, bisedimet prekën progresin në forcimin e kuadrit mbikëqyrës dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë mbështetjen e ofruar nga programi FINSAC.
Një tjetër fokus i rëndësishëm ishte modernizimi i sistemeve të pagesave, ku u diskutuan zhvillimet që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Single Euro Payments Area (SEPA) dhe hapat e mëtejshëm për përafrimin me acquis-në e Bashkimit Evropian në këtë fushë. Palët u ndalën gjithashtu te zhvillimi i sistemit të pagesave të menjëhershme (instant payments), si një komponent kyç për rritjen e efikasitetit dhe konkurrueshmërisë së sistemit financiar, si dhe në mundësitë për mbështetje të mëtejshme teknike nga Banka Botërore.
Takimi konfirmon vijimësinë e një bashkëpunimi strategjik mes Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, në një periudhë kur sektori financiar në vend ndodhet përballë disa proceseve të rëndësishme transformuese, nga vlerësimi i pritshëm i FSAP te avancimi i reformave që lidhen drejtpërdrejt me procesin e integrimit evropian. /ekofin.al
