Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.75%. Në konferencën për mediat, pas mbledhjes, Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia e vendit po performon mirë dhe pritshmëritë janë për një rritje të qëndrueshme në afatmesëm.
Sejko theksoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm dhe ndaj Këshilli Mbikëqyrës vendos të mbajë të njëjtën linjë, duke mos sjellë ndryshime të normave bazë të interesit.
Inflacioni shënoi rënie të lehtë në dy muajt e parë, duke qëndruar në 1.9%. Rritja ekonomike ka mbetur solide. Eksporti i mallrave vijon të shfaqë rënie, theksoi Guvernatori.
“Zgjerimi i kërkesës është shoqëruar me rritje të punësimit dhe rënie të normës së papunësisë. Sipas INSTAT, pagat në sektorin privat u rritën me 9.5% në tre-mujorin e katërt të vitit 2024. Po ashtu u rrit edhe punësimi. Këto ndihmojnë konsumin familjar, por ndërkohë edhe ushtrojnë presion ndaj inflacionit,” vuri në dukje Guvernatori.
Sejko theksoi se kreditimi është rritur, ndikuar si nga normat e ulëta të interesit, edhe nga qasja pozitive e sektorit bankar ndaj kredidhënies. Kredia për sektorin privat u rrit me mesatarisht 16.2% në dy muajt e parë të vitit 2025. Një zhvillim specifik gjatë 3-mujorëve të fundit ka qënë riaktivizimi i kredisë në valutë. Kredia për investime shënoi një rritje mesatare prej 20%.
Gjithashtu, edhe kreditë me probleme zbritën në 4.06% në muajin shkurt, një tjetër minimum historik.
Guvernatori theksoi se përmirësimi i mëtejshëm i vlerësimit të S&P për Shqipërinë, i publikuar pak ditë më parë, ul më tej kostot e kredimarrjes dhe rrit atraktivitetin për investime në vendin tonë.
Sipas Guvernatorit, në skenarin bazë, inflacioni pritet të kthehet drejt objektivit gjatë vitit 2025, ndërsa ekonomia ekonomia pritet të rritet me ritme të qëndrueshme në afatmesëm. Megjithatë, sipas tij, tensioni i lartë gjeopolitik dhe rritja e tarifave mund të sjellin ndikime si në rritjen ekonomike, ashtu edhe në ecurinë e inflacionit. /ekofin.al
