Banka e Shqipërisë vëren se inflacioni është përgjysmuar, në krahasim me nivelet e një viti më parë, duke ulur kostot e jetesës për familjet shqiptare. Në mesazhin e tij publikuar në Raportin e Politikës Monetare për 3-mujorin e tretë të vitit, Guvernatori Sejko nënvizon se ndikim në normalizimin e shpejtë të inflacionit dhe mbajtjen e tij nën kontroll kanë dhënë edhe lëvizjet e duhura dhe ndërhyrjet e bëra nga Banka e Shqipërisë.
“Normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës sonë monetare gjatë viteve 2002 – 2023, bëri të mundur reduktimin gradual të inflacionit, pa dëmtuar trendin pozitiv të rritjes ekonomike dhe shëndetin e bilanceve financiare të ekonomisë,” thekson Sejko.
Referuar ekonomisë, Guvernatori vëren se “rritja ekonomike mbeti në nivele të larta, duke gjeneruar rritje të punësimit e të pagave dhe më shumë të ardhura për familjet dhe bizneset shqiptare. Po ashtu, shëndeti ekonomik dhe financiar i ekonomisë u përmirësua: borxhi i huaj dhe ai publik shënuan rënie, bilancet financiare të bizneseve dhe familjeve mbeten të shëndetshme, dhe treguesit e qëndrueshmërisë dhe të ndërmjetësimit të sektorit bankar u konsoliduan”.
Në vlerësimin e BSH, rënia e inflacionit ishte më e shpejtë se pritjet, e ndikuar nga rënia e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës dhe nga forcimi i vazhduar i Lekut. Në tremujorin e tretë, inflacioni zbriti në 2.0%.
Ndikuar nga këto zhvillime dhe nga rënia e inflacionit, BSH nënvizon se vendosi të ndërhyjë, duke ulur më tej në 2.75% normën bazë të interesit për Lekun.
Banka e Shqipërisë parashikohen se ekonomia do të vijojë të performojë pozitivisht. “Rritja e qëndrueshme ekonomike do të do të vijojë të ushqehet nga rritja e konsumit, investimeve dhe e eksporteve shqiptare, e në veçanti ato të turizmit. Nga ana tjetër, inflacioni parashikohet të luhatet pranë niveleve aktuale gjatë muajve të mbetur të vitit 2024 dhe të kthehet gradualisht në objektivin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.” /ekofin.al
