Samsung Electronics organizoi një panel ekspertësh globalë me titullin “In Tech We Trust? Rethinking Security & Privacy in the AI Age”, si pjesë e serisë së tij Tech Forum në CES 2026. I mbajtur në The Wynn në Las Vegas, sesioni mblodhi ekspertë ndërkombëtarë të teknologjisë, kërkimit dhe etikës për të eksploruar mënyrën se si besimi është shndërruar në një nga faktorët më kritikë që përcaktojnë mënyrën se si njerëzit adoptojnë dhe ndërveprojnë me AI-në, teksa ajo integrohet gjithnjë e më natyrshëm në jetën e përditshme.
Si ta bëjmë inteligjencën e padukshme të jetë e besueshme
Ndërsa AI gjithnjë e më shumë parashikon nevojat, organizon rutinat dhe operon në mënyrë autonome nëpër pajisje të ndryshme, panelistët Allie K. Miller, CEO e Open Machine; Amy Webb, CEO e Future Today Strategy Group; Zack Kass, Këshilltar Global për AI në ZKAI Advisory dhe ish-Drejtues i Go-To-Market në OpenAI; si dhe Shin Baik, Drejtues i Grupit AI Platform Center (APC) në Samsung Electronics, theksuan se besimi nuk fitohet përmes premtimeve, por përmes sjelljes së qëndrueshme dhe të kuptueshme.
Gjatë sesionit, Samsung ndau qasjen e tij të trust-by-design, duke vënë në pah rëndësinë e sistemeve AI që janë të parashikueshme, transparente dhe të lehta për t’u kontrolluar nga përdoruesit.
“Kur bëhet fjalë për AI-në, përdoruesit kërkojnë transparencë dhe kontroll,” tha Allie Miller. “Ata duan të jenë drejtues të përvojave të tyre të personalizuara, të kuptojnë nëse një model AI funksionon lokalisht apo në cloud, të dinë që të dhënat e tyre janë të sigurta dhe të shohin qartë se çfarë fuqizohet nga AI dhe çfarë jo. Ky nivel transparence ndërton besim. Nga ana e ofruesve, ekziston një përgjegjësi për të krijuar përvoja të personalizuara të ndërtuara mbi shtyllat kryesore të besimit, qartësinë, sigurinë dhe llogaridhënien.”
Samsung gjithashtu theksoi se AI në pajisje (on-device AI) lejon që të dhënat personale të mbeten lokale sa herë që është e mundur, ndërsa inteligjenca e bazuar në cloud përdoret në mënyrë selektive kur nevojitet shpejtësi ose shkallëzim më i madh, duke u dhënë përdoruesve fleksibilitet pa kompromentuar privatësinë.
Siguri e ndërtuar për një botë të drejtuar nga AI
Paneli shqyrtoi gjithashtu se si, ndërsa inteligjenca shpërndahet në telefona, televizorë dhe pajisje shtëpiake, siguria duhet të evoluojë. Gjatë sesionit, Samsung vuri në pah platformën e tij të sigurisë Knox, e cila tashmë mbron miliarda pajisje që nga niveli i çipit, si dhe Knox Matrix, një kornizë sigurie ndër-pajisje që u mundëson produkteve të autentifikojnë dhe mbrojnë njëra-tjetrën.
“Besimi në AI fillon me siguri të provuar, jo të premtuar,” tha Shin Baik. “Për më shumë se një dekadë, Samsung Knox ka ofruar një platformë sigurie thellësisht të integruar, të projektuar për të mbrojtur të dhënat e ndjeshme në çdo nivel. Por besimi shkon përtej një pajisjeje të vetme, ai kërkon një ekosistem që mbron veten. Me Knox, pajisjet autentifikojnë dhe monitorojnë vazhdimisht njëra-tjetrën, në mënyrë që secila pajisje të veprojë si një mburojë për të tjerat, duke krijuar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt ku përdoruesit mund të mbështeten.”
Një diskutim ndër-industrial mbi të ardhmen e besimit
Shin Baik theksoi se besimi rritet kur AI sillet në mënyrë të parashikueshme dhe të sigurt nëpër pajisje, duke argumentuar se përdoruesit kanë nevojë për sinjale të dukshme kontrolli, në vend të sistemeve “kuti e zezë”. Samsung përmendi partneritetet e tij me liderë të industrisë si Google dhe Microsoft si një mënyrë për të forcuar kërkimin e përbashkët të sigurisë, ndërveprueshmërinë dhe mbrojtjen në nivel ekosistemi. Ndërkohë, Allie Miller theksoi rëndësinë e transparencës për përdoruesit, përfshirë transparencën e plotë se ku funksionojnë modelet AI, si përdoren të dhënat dhe etiketat e qarta që tregojnë se çfarë fuqizohet nga AI dhe çfarë jo.
Nga ana tjetër, Zack Kass shtoi se, edhe pse keqinformimi dhe keqpërdorimi paraqesin sfida reale, “për çdo rrezik ekziston edhe një kundërmasë dhe vetë teknologjia do të luajë një rol kritik në zbutjen e anëve negative të AI-së.”
Amy Webb vlerësoi marrëdhënien midis besimit dhe zakoneve të blerjes së konsumatorëve. “Nuk mendoj se njerëzit po marrin vendime bazuar vetëm në besim,” tha ajo. “Ata nuk paguajnë për besim. Nuk blejnë produkte për shkak të besimit. Ata blejnë për shkak të komoditetit. Pra, nëse komponenti i AI-së i tërheq njerëzit sepse ua bën jetën më të lehtë dhe më të përshtatshme, atëherë kjo është ajo që i shtyn përpara.”
Ndërsa AI po bëhet gjithnjë e më e padukshme, paneli doli nëpërfundimin se teknologjitë që do të fitojnë besim afatgjatë do të jenë ato që që nga fillimi vendosin në prioritet sigurinë, transparencën dhe zgjedhjen domethënëse të përdoruesit.
