Zyrtarët botërorë të shëndetësisë shprehen të alarmuar për rastet në rritje të lisë së majmunëve në Evropë dhe gjetkë.
Ky lloj i infeksionit viral është më i zakonshëm në pjesën perëndimore dhe qendrore të Afrikës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se 12 shtete anëtare të saj, që nuk janë endemike për virusin, kanë raportuar 92 raste të konfirmuara dhe 28 të dyshuara deri më 21 maj.
Rreziku për publikun e gjerë, aktualisht, është i ulët, u ka thënë gazetarëve një zyrtar i shëndetit publik në SHBA, të premten e kaluar.
Lia e majmunëve është një virus që mund të shkaktojë ethe dhe dhimbje dhe, kryesisht, shfaqet me puçrra të fryra të kuqe.
Ajo lidhet me linë, por zakonisht është më e butë, e sidomos varianti i Afrikës Perëndimore, i cili ka një shkallë vdekshmërie prej rreth një për qind.
Shumica e njerëzve shërohen plotësisht për dy deri në katër javë, ka thënë zyrtari amerikan.
Një pjesë e indit të lëkurës, e marrë për mostër në lëkurën e një majmuni, i cili ishte infektuar me virusin e lisë së majmunit.
Virusi nuk transmetohet lehtë sikurse virusi SARS-CoV-2, që ka shkaktuar pandeminë globale COVID-19.
Ekspertët besojnë se lia e majmunit përhapet nga kontakti i ngushtë – lëkurë me lëkurë – me dikë që ka skuqje aktive.
“COVID përhapet përmes rrugëve të frymëmarrjes dhe është shumë infektiv. Kështu nuk duket se është rasti me linë e majmunit”, thotë Martin Hirsch, nga Spitali i Përgjithshëm në Masaçusets të SHBA-së.
“Ajo që duket se po ndodh tani, është se [lia] ka hyrë në popullatë si formë seksuale, si formë gjenitale dhe po përhapet sikurse infeksionet që janë seksualisht të transmetueshme”, ka thënë zyrtari i OBSH-së, David Heymann, po ashtu specialist i sëmundjeve infektive, për agjencinë e lajmeve Reuters.