Transporti në Shqipëri ka shënuar rritje të dukshme gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025, veçanërisht në transportin rrugor dhe ajror, ndërsa transporti hekurudhor vijon të jetë në rënie. Të dhënat janë publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT).
Sipas INSTAT, në fund të tremujorit të katërt 2025, numri i mjeteve rrugore në qarkullim në territorin e Shqipërisë arriti në mbi 1 milion, duke shënuar rritje vjetore prej 9,3 për qind. Autoveturat përbëjnë pjesën dërrmuese të parkut të mjeteve, me mbi 80 për qind të totalit, të ndjekura nga motorët dhe automjetet për transport të përzier.
Tirana vijon të mbajë peshën më të madhe të mjeteve në qarkullim, me rreth një të tretën e totalit kombëtar, ndërsa pas saj renditet qarku i Durrësit. Në anën tjetër, qarqet e Gjirokastrës dhe Kukësit regjistrojnë numrin më të ulët të mjeteve.
Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar për herë të parë rreth 25 mijë mjete, shumica dërrmuese autovetura. Edhe në regjistrimet e reja, Tirana kryeson me mbi 40 për qind të totalit. Sa i përket markave, Volkswagen dhe Mercedes-Benz rezultojnë më të preferuarat.
Transporti ajror ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë tremujorit të katërt 2025. Në hapësirën ajrore shqiptare kanë operuar 28 shoqëri ajrore, kryesisht të huaja. Numri i avionëve që kanë fluturuar mbi Shqipëri ka qenë i lartë, ku mbikalimet përbëjnë pjesën më të madhe të lëvizjeve ajrore.
Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore arriti mbi 2,6 milionë, duke shënuar rritje prej rreth 9,5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Po ashtu, është rritur edhe volumi i mallrave dhe postës të transportuara me ajër, me një rritje vjetore gati 19 për qind, ku pjesa më e madhe e mallrave janë hyrje në vend.
Transporti detar i mallrave ka vijuar të dominohet nga Porti i Durrësit, i cili përpunon pothuajse të gjithë volumin kombëtar të mallrave të transportuara me det. Gjatë tremujorit të katërt 2025, volumi i mallrave të transportuara me det është rritur krahasuar me një vit më parë.
Grupet kryesore të mallrave të transportuara përfshijnë produktet e rafinuara të naftës, metalet bazë dhe produktet minerale. Numri i anijeve që kanë hyrë dhe dalë nga portet shqiptare ka shënuar një rritje të lehtë, me rritje më të theksuar të anijeve të huaja.
Në të njëjtën periudhë, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar përmes porteve detare ishte mbi 220 mijë persona, ku pjesa më e madhe e lëvizjeve është realizuar nga Porti i Durrësit, i ndjekur nga Saranda dhe Vlora.
Ndryshe nga format e tjera të transportit, transporti hekurudhor ka shënuar rënie të ndjeshme gjatë tremujorit të katërt 2025. Volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është ulur me rreth një të katërtën krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe treguesi i ton-kilometrave ka ndjekur të njëjtin trend rënës.
Pjesa më e madhe e mallrave të transportuara me hekurudhë përbëhet nga qymyri, linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror. Ndërkohë, numri i pasagjerëve që kanë përdorur transportin hekurudhor mbetet shumë i ulët, duke shënuar rënie të fortë vjetore. /ekofin.al
