Rritja e pagës minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë duke nisur nga 1 janari 2026 që shoqërohet me rritjen po me 10 mijë lekë të pagës maksimale për efekt kontributesh nga 176,416 lekë në 186,416 lekë do të sjellë ndikim të drejtpërdrejtë në arkën e sigurimeve shoqërore dhe ndërkohë do të shtojë barrën fiskale për punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Referuar relacionit të projektbuxhetit dhe sipas të dhënave të administratës tatimore, efekti pozitiv në të ardhura nga kjo rritje pritet të arrijë në rreth 9 miliardë lekë, ku 7.6 miliardë lekë do të jenë nga kontributet e sigurimeve shoqërore, ndërsa pjesa tjetër prej 1.4 miliardë lekë nga kontributet e sigurimeve shëndetësore.
Ky efekt do të reflektohet në një rritje të përgjithshme të të ardhurave nga kontributet, të cilat për vitin 2026 janë programuar të arrijnë në 197 miliardë lekë, ose 11.4% më shumë se pritshmëritë për vitin 2025.
Rritja më e fundit e pagës minimale nga 32,000 në 40,000 lekë u bë efektive nga 1 prilli 2023, e shoqëruar në atë rast me rritjen e pagës maksimale me të njëjtën %, duke e rritur atë ndjeshëm, nga 149,954 lekë në 176,416 lekë. Më pas, Qeveria ndërmori një ndryshim ku çdo rritje e pagës minimale do të shoqërohej me rritje të pagës maksimale për efekt kontributesh në vlerë, jo më me %.
Ekofin analizoi sa do të ndikojë ky ndryshim në personat me të ardhura bruto të paktën 186,416 lekë nga 1 janari 2026, të cilëve praktikisht “do t’u ulet paga”. Kështu nëse aktualisht, ata paguajnë 16,760 lekë sigurime shoqërore që u ndalen nfa paga për pjesën e 9.5% të punonjësit, nga janari i vitit të ardhshëm do të paguajnë 17,709 ose 950 lekë më shumë për fondin e sigurimeve shoqërore.
Kjo do të thotë se punonjësit dhe punëdhënësit do të përballen me kontribute më të larta, çka përkthehet në një kosto shtesë për bizneset, por edhe në rritje të fondeve për sistemin e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Në planin afatgjatë, kjo masë pritet të forcojë qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve, ndërkohë që mund të ketë efekt në koston e punës, veçanërisht për bizneset e vogla dhe ato që operojnë në sektorë me intensitet të lartë pune. /ekofin.al
