Është botuar në Fletoren Zyrtare vendimi që specifikon rritjen e pagave sipas kategorive për punonjësit e Gardës së Republikës. Në vendim saktësohen elementët përbërës të pagës bruto për personelin, sipas strukturave.
Elementet e pagës bruto mujore dhe vlerat për secilin element janë, si më poshtë vijon:
a) Paga për gradë, që përfaqëson nivelin e pagës së punonjësit, në përputhje me gradën që ka fituar brenda rolit përkatës. Vlera e pagës për gradë përcaktohet në lidhjen nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
b) Shtesa për natyrë të veçantë pune, që u jepet punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, për natyrën e veçantë të punës e të shërbimit që kryejnë, vlerat e së cilës për çdo funksion/pozicion përfitues përcaktohen në lidhjen nr. 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
c) Shtesa mbi pagë për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin, që përcaktohet sipas lidhjes nr. 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
ç) Shtesa për vjetërsi në shërbim, që është shtesa që përfiton punonjësi i Gardës së Republikës së Shqipërisë për çdo vit shërbimi. Kjo shtesë aplikohet në përqindje mbi pagën për gradë, të gradës “inspektor” dhe jepet në masën 1 (një) % për çdo vit, por jo më shumë se 25 (njëzet e pesë) vjet.
Për efekt të llogaritjes së shtesës për vjetërsi në shërbim, sipas shkronjës “ç”, të pikës 2, të këtij vendimi, “vite shërbimi” do të konsiderohen vitet e qëndrimit në gradë, të dokumentuara në librezën e punës apo, në mungesë të librezës së punës, me çdo dokument tjetër ligjor të lëshuar nga organet kompetente përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, të çdo punonjësi në strukturat e Gardës së Republikës së Shqipërisë, Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Policisë së Shtetit, Policisë së Burgjeve, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, si dhe në strukturat e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Vitet që përjashtohen nga llogaritja e vjetërsisë në shërbim për efekt pagese janë vitet e sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, vitet e punës si punonjës pa grada, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Brendshme e të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare. Ekofin.al







