Ndryshimet në ligjin “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura”, pritet të miratohet nga Kuvendi në muajin maj, çka do t’i hapë rrugën edhe miratimit të vendimeve të Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave të administratës.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se tashmë pr/ligji është depozituar në Kuvend dhe pritet të miratohet brenda këtij muaji.
“Menjëherë pas miratimit nga Kuvendi do të vijohet me miratimin e vendimeve të qeverisë për rritjen e pagave të administratës. Punonjësit do të mund të marrin shtesën e pagave në muajin qershor”, deklaroi ajo, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur sot për zhvillimet në ekonomi.
Nga ana tjetër, ministrja informoi se rritja e pagave për bluzat e bardha, mësuesit, punonjësit e Policisë së Shtetit, të burgjeve, zjarrfikësit dhe për punonjësit e sektorit mbështetës në administratë ka hyrë në fuqi nga data 1 prill. Sipas saj, për këto kategori ka nisur shpërndarja e pagës së re nga sot.
