Posta Shqiptare vijon të dominojë tregun e shërbimeve postare, edhe pse ky treg, sidomos gjatë viteve të fundit, ka parë hyrjen e disa aktorëve të rinj. Referuar të dhënave të publikuara nga AKEP, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2024 rezultojnë 6,667,394 objekte postare të pranuara dhe të dërguara nga Posta Shqiptare dhe Ofruesit e Shërbimeve Postare.
Në përgjithësi, tregu i shërbimeve postare u zgjerua më tej në 3-mujorin e dytë të vitit 2024, ku pati një rritje të objekteve postare të dërguara, krahasuar me 3-mujorin paraardhës, si për Postën Shqiptare, ashtu dhe për ofruesit e tjerë të shërbimeve postare. Rritja është edhe më e konsiderueshme, nëse krahasohet me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Referuar të dhënave për Postën Shqiptare, shërbimi universal postar ka patur një rritje me 37% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si edhe me 9% krahasuar me 3-mujorin e parë të këtij viti. Edhe shërbimi postar brenda vendit është rritur, respektivisht me 34% dhe 5%. Por rritja më e madhe vihet re në shërbimin postar ndërkombëtar. Në këtë rast, ky shërbim për Postën Shqiptare është rritur me 96% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si edhe me 133% krahasuar me tre-mujorin pararendës.
Sa i përket shërbimeve të tjera të ofruara nga Posta Shqiptare, shërbimi jo universal postar dhe shërbimi ekspres, të dy kanë pësuar rënie, kjo ndikuar edhe nga hyrja në treg e shumë aktorëve të rinj që e ofrojnë një shërbim të tillë.
Nga të dhënat e raportuara nga Posta Shqiptare rezulton se volumin më të madh të objekteve postare për këtë operator e zë shërbimi universal postar me rreth 80% të totalit të objekteve, ndjekur nga shërbimi ekspres me rreth 17% dhe shërbimi jo universal me rreth 4 %.
Në shëerbimin universal postar, Posta Shqiptare realizoi gjithsej 5,311,919 objekte, nga të cilat posta brenda vendit zë 93% të objekteve postare dhe posta ndërkombëtare zë 7% të objekteve postare. Për sa i përket Shërbimit Universal brenda vendit, janë regjistruar 4,211,041 shërbime për objekte të thjeshta dhe 731,078 shërbime për objekte të regjistruara/shërbime të veçanta. Në lidhje me Shërbimin Universal Postar Ndërkombëtar, janë regjistruar 176,212 objekte postare të pranuara në Shqipëri dhe të dërguara jashtë vendit dhe 193,588 objekte hyrëse nga jashtë vendit dhe të shpërndara në Shqipëri. /ekofin.al

