Tregtia ndërkombëtare e shërbimeve është rritur me 14% në terma vjetorë, duke bërë që tremujori i dytë i vitit 2024 të rezultojë me balancë prej 864 milionë eurosh. Në qendër të kësaj tregtie janë shkëmbimet e shërbimeve me vendet e tjera të rajonit, në rritjen e të cilës kanë kontribuar eksportet e shërbimeve në fushën e turizmit, transportit dhe marrëdhëniet e biznesit.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë treguan se vëllimi i transaksioneve tregtare në shërbime u rrit me rreth 18% në terma vjetorë. Në këtë rritje ndikoi zgjerimi i vëllimit tregtar në shërbime udhëtimi dhe transport, duke marrë parasysh edhe numrin e konsiderueshëm të vizitorëve të huaj që hynë në Shqipëri për turizëm.
Sipas shifrave të tremujorit të dytë 2024, rreth 1.16 miliardë euro janë siguruar nga eksporti i shërbimeve të udhëtimit, ndërsa udhëtarët rezidentë, përfshirë shqiptarët dhe të huajt kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë kufijve 688 milionë euro për akomodim, ushqim, vizita turistike dhe transport. Po kështu, me bilanc pozitiv në masën 125 milionë euro kanë rezultuar edhe shërbime të tjera biznesi, me një rritje vjetore prej 35%, ku vihet re shtimi i volumit të shërbimeve të ofruara siç janë konsulencat e ndryshme, teknologji informacioni, shërbime financiare apo ligjore. Për tremujorin e dytë të vitit, ekonomia shqiptare shënoi 149 milionë euro në valutën hyrëse. Kjo situatë është e diktuar edhe nga numri i lartë i vizitorëve dhe veçanërisht shërbimi i transportit që ka fituar 41 milionë euro më shumë përgjatë tremujorit të dytë të vitit 2024.

