Muajt e verës rrisin më shumë qarkullimin, njerëzit lëvizin më shumë, edhe për të frekuentuar plazhet, për pasojë rritet edhe mundësia e aksidenteve. Kjo është vërtetuar edhe nga shifrat më e fundit të publikuara nga INSTAT, ku referuar muajit qershor të këtij viti janë regjistruar 101 aksidente me pasojë lëndime ose vdekje, nga 98 të raportuara në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Të rinjtë vijojnë të jenë shkaktarët kryesorë të aksidenteve rrugore. Sipas INSTAT, aksidentet, në 82,2% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 30,7% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 14,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin Qershor 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e Premte me 18,8%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur ditën e Mërkurë me 8,9%. /ekofin.al

