Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar raportin mbi Gjeografinë e Sigurimeve 2024, i cili pasqyron shpërndarjen e primeve të shkruara bruto, primit për frymë dhe dëmeve të paguara sipas prefekturave. Të dhënat tregojnë një përqendrim të lartë të tregut në qendrat kryesore urbane, ashtu siç ka ndodhur edhe në vitet e mparshme, me Tiranën që vijon të mbajë peshën më të madhe në të gjithë treguesit kryesorë.
Prefektura e Tiranës ka gjeneruar 62.09% të totalit të primeve të shkruara bruto gjatë vitit 2024, duke u renditur bindshëm e para në nivel kombëtar. Pas saj vijnë Durrësi me 7.18%, Korça me 5.15%, Vlora me 4.60% dhe Fieri me 4.53%. Ky përqendrim tregon qartë se tregu i sigurimeve është i lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik dhe dendësinë e popullsisë, ndërsa pjesa tjetër e prefekturave mbeten me një aktivitet më të kufizuar.
Një tregues tjetër i rëndësishëm është dendësia e sigurimeve, e cila në vitin 2024 arriti në 10,364.79 lekë për frymë, duke shënuar një rritje prej 838.63 lekësh krahasuar me vitin 2023. Ky zhvillim reflekton zgjerimin gradual të tregut dhe rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për nevojën e mbrojtjes ndaj risqeve.
Edhe në treguesin e primit për frymë, Tirana qëndron në krye me 20,011.64 lekë për frymë, gati dyfishin e mesatares kombëtare. Prefekturat që pasojnë janë:
- Durrësi – 7,885.51 lekë për frymë
- Vlora – 7,819.41 lekë për frymë
- Gjirokastra – 7,697.89 lekë për frymë
- Korça – 7,506.08 lekë për frymë
Këto të dhëna tregojnë se, përveç kryeqytetit, edhe zonat bregdetare dhe ato me traditë ekonomike të zhvilluar kanë një raport më të lartë sigurimesh për banor.
Në raport pasqyrohet edhe shpërndarja e dëmeve të paguara. Tirana përbën 67.94% të totalit të dëmeve, ndërsa Durrësi 10.10%. Kjo lidhet me nivelin më të madh të aktivitetit ekonomik dhe rrjedhimisht edhe me ekspozimin më të lartë ndaj risqeve në këto zona.
Të dhënat e publikuara nga AMF tregojnë se tregu i sigurimeve në Shqipëri vijon të mbetet i përqendruar në disa prefektura kryesore, me Tiranën që luan rolin dominues. Megjithatë, rritja e primit për frymë dhe e dendësisë së sigurimeve në nivel kombëtar është një sinjal pozitiv për zgjerimin e tregut dhe për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve ndaj produkteve të sigurimit. /ekofin.al
