Raporti vjetor i Dhomës Amerikane të Tregtisë për vitin 2024 tregon një rritje në perceptimin e bizneseve shqiptare lidhur me sigurinë e financimit dhe marrëdhëniet me sektorin bankar. Përmirësimi në disa indikatorë sugjeron një tendencë pozitive, por jo mjaftueshëm të fortë për të sinjalizuar një ndryshim thelbësor në klimën financiare për bizneset.
Ndërsa vlerësimet negative për sigurimin e financimit kanë rënë nga 32.3% në vitin 2023 në 30.9% në vitin 2024, dhe ato pozitive janë rritur në mënyrë modeste nga 7.6% në 8.3%, pjesa më e madhe e bizneseve (58.2%) mbetet në zonën neutrale, duke reflektuar një klimë të qëndrueshme, por ende të pasigurt.
Indeksi përmbledhës i sigurisë së financimit arriti në 43.15 pikë, niveli më i lartë i dekadës, por rritja mbetet simbolike, duke mos reflektuar një përmirësim të ndjeshëm.
E njëjta prirje shihet edhe në raport me sektorin bankar, ku përqindja e bizneseve që raportojnë përvoja negative ra në 20.2% nga 27.9% një vit më parë, ndërsa neutraliteti u rrit në 57.5%, duke dëshmuar për një klimë më të ekuilibruar, ndërkohë që vlerësimet pozitive për bankat ranë lehtë me 2.1 %; nga 23.4% në 2023 në 21.3% në 2024.
Të gjitha këto tregues flasin për nevojën e vijueshme për politika të qarta dhe të qëndrueshme, që do të përmirësonin realisht aksesin në financim dhe do të reduktonin pasiguritë që bizneset ende përjetojnë në raport me sistemin financiar./ekofin.al


