Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, i llogaritur bazuar në indeksin e shitjeve në vlerë, arriti 129,0, duke shënuar një rritje 6,4%, krahasuar me tremujorin e tretë 2023.
Ky tregues i përshtatur sezonalisht është rritur 1,9 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.
Ndërsa, në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e tretë 2024 është rritur me 5,6 %, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2023.
Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 5,3 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023.
Rritje ka shënuar edhe volumi i shitjeve për grupin “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” i cili është rritur 5,7 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.
Në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 9,9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023.
Në ndryshimin vjetor prej +6,4 %, në tremujorin e tretë 2024 ndaj tremujorit të tretë 2023, në tregtinë me pakicë, grupet kanë kontribuar si më poshtë:
“Artikuj joushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me +2,1 pikë përqindje. Grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” ka kontribuar me +1,7 pikë përqindje dhe grupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” me +2,6 pikë përqindje.
Në tremujorin e tretë 2024, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, është rritur me 0,5 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.
Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, ka pësuar rritje me 0,9 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.
Për sa i përket volumit të shitjeve, përshtatur sezonalisht, në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj joushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është ulur me 0,3 %, kundrejt tremujorit të mëparshëm.
Ndërsa, në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve, i përshtatur sezonalisht është rritur me 4,7 %, kundrejt tremujorit të mëparshëm.




