Huaja e re drejt sektorit privat jofinanciar gjatë Qershorit ka arritur në 20 miliardë lekë, në rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me rreth 35%. Shifrat tregojnë se krahasuar me vitet paraardhëse, kjo është shifra më e lartë që prej Qershorit të vitit 2020, kur kredia e re për sektorin privat fiksohej në 21.1 miliardë lekë. Ky vit mban ende rekordin historik për këtë tregues, të paktën që prej vitit 2016.
Transporti dhe magazinimi si sektor kanë marrë rreth 2.7 miliardë lekë kredi të re gjatë muajit Qershor. Kjo shifër gjatë viteve të kaluara ka qenë disa herë më e ulët. Në Qershor të vitit 2022 fiksohej pranë vetëm 149 milionë lekëve, ndërkohë që rekordi i mëparshëm ishte ai i Qershorit të vitit 2019, me rreth 469 milionë lekë kredi të re për sektorin në një muaj.
Një tjetër sektor që regjistron rritje të ndjeshme të kreditimit gjatë Qershorit është ai i industrisë përpunuese, me rreth 3.1 miliardë lekë gjatë muajit të gjashtë të vitit, në rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë, kur kjo shifër ishte pranë 2.1 miliardë lekëve. Për këtë sektor duket se ka dhënë efekt zhvlerësimi i euros, duke ndikuar në të ardhurat dhe likuiditetin e prodhuesve dhe eksportuese. Kjo mungesë likuiditeti duket se është reflektuar në një rritje domethënëse të huamarrjes nga sektori bankar në vend.
Me rreth 1.3 miliardë lekë kredi të re gjatë Qershorit, rritje të konsiderueshme regjistron edhe sektori i “Akomodimit dhe shërbimit ushqimor”. Në këtë rast kemi të bëjmë me një rekord historik, pasi asnjëherë ma parë kjo periudhë e vitit nuk ka regjistruar një shifër më të lartë. Shëndetësia është gjithashtu një sektor me rritje të ndjeshme të kreditimit gjatë Qershorit.
