Kreditimi ka njohur rritje jo vetëm për sektorin bankar dhe mikrofinancën, por edhe për Shoqëritë e Kursim-Kreditit. Referuar të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, gjatë tre-mujorit të parë të vitit 2024, kreditë e dhëna nga ky sektor arritën në 12.3 miliardë lekë, me një rritje prej 11.3% krahasur me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shoqëritë e kursim-kreditit janë institucione financiare të cilat pranojnë depozita vetëm nga anëtarët e tyre dhe i japin hua këto fonde për të gjeneruar fitim. Shoqëritë e kursim-kreditit mund të organizohen në unione. Aktualisht, në Shqipëri, në regjistrat e Bankës së Shqipërisë figurojnë 16 shoqëri kursim-krediti dhe 1 union.
Gjithashtu, rezulton se ka një rritje të depozitave pranë këtyre shoqërive. Gjatë periudhës janar-mars 2024, depozitat në lekë arritën në 8.7 milionë, ndërsa ato në valutë në 2.3 milionë lekë. Rritja e depozitave të këtyre shoqërive vitet e fundit është mbështetur shumë edhe nga përfshirja e tyre në skemën e sigurimit të depozitave.
Prej 5 vitesh, depozitat e shoqërive të kursim-kreditit rimbursohen nga “Agjencia e Sigurimit të Depozitave” (ASD), deri në vlerën e 2 milionë lekëve. Për të përfituar këtë mbështetje shoqëritë e kursim-kreditit duhet të licensohen. Sipas “Bankës së Shqipërisë”, në vendin tonë operojnë 16 SHKK të licencuara, por pesë prej tyre e kanë pezulluar aktivitetin në periudhën 2015-2016.
