Kërkesa e individëve për kredi shënoi rritje në tremujorin e tretë të vitit 2024, si në blerjen e banesave, ashtu edhe sa i përket financimit të nevojave dhe konsumit. Qytetarët vijuan të aplikojnë për kredi për strehim, edhe pse prej muajsh vihet re një ngërç në tregun imobiliar, kjo ndikuar kryesisht nga pritjet për realizimin e rivlërësimit me 5% tatim, nga 15% që është aktualisht.
Në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë parashikohet se edhe në tre-mujorin e fundit të vitit, pritshmëritë e bankave janë që kërkesa për kredi e qytetarëve të mbetet e lartë, si për financimin e konsumit, ashtu edhe për blerjen e banesave.
Ndërkohë që qytetarët kërkojnë, edhe bankat janë treguar “bujare”, pasi shkalla e miratimit të kredive për individët ka qënë në rritje në tremujorin e tretë të këtij viti. Raporti më i ulët i kredive të refuzuara në këtë tremujor u nxit prej historikut të regjistrit të kredive dhe prej historikut të punësimit dhe stabilitetit në tregun e punës.
Kushtet dhe termat e përgjithshëm të kreditimit u shtrënguan në tremujorin e tretë. Marzhet më të larta mbi kreditë me rrezik dhe kërkesat më të larta për kolateral (në kreditë për blerjen e banesave) patën ndikim shtrëngues në kushtet e termat e kreditimit për individët.
Por, faktori i vetëm që çoi në shtrëngimin e kushteve e termave të kreditimit ishte toleranca më e ulët ndaj rrezikut e shfaqur prej një banke të vetme të sistemit. Gjithashtu, edhe standardet e kreditimit për individët u shtrënguan në tremujorin e tretë të vitit 2024, ndryshim ky i diktuar nga një bankë. /ekofin.al
