Banka e Shqipërisë ka blerë një vlerë rekord valute gjatë tre-mujorit të tretë të vitit 2024, me synimet për të normalizuar kursin e këmbimit, periudhë gjatë së cilës presionet kanë qenë edhe më të mëdha. Sipas të dhënave të bëra publike nga BSh, në tremujorin e tretë janë zhvilluar gjashtë ankande për blerjen e valutës, ku në përputhje me objektivin e zhvillimit të tregut, dy prej tyre kanë qenë me opsionin FORWARD.
Në ankandet e zhvilluara janë blerë 94.40 milionë euro kundrejt përkatësisht 101.60 milionë euro dhe 32.60 milionë euro të blera në tremujorët e mëparshëm. Mesatarja e blerë në ankandet e këtij tremujori ka rezultuar në vlerën 15.70 milionë euro, me një përmirësim krahasuar me 14.50 milionë euro në shtatë ankandet e zhvilluara në tremujorin e kaluar.
Krahas blerjeve me ankand, me anë të ndërhyrjeve në tregun valutor, në përmbushje të objektivave të politikës monetare ose të stabilitetit financiar, janë blerë 176.10 milionë euro, duke e çuar totalin e blerjeve gjatë tremujorit të tretë në 270.50 milionë euro.
Në fakt, kjo është shuma më e lartë e realizuar ndonjëherë nga BSH gjatë një tre-mujori, kjo edhe për shkak se u provua në të gjitha format që Euro të mos zbriste poshtë kufirit psikologjik të 100 Lekëve, gjë që përsëri nuk u arrit.
Sipas të dhënave, në tremujorin paraardhës, blerjet e valutës ishin në nivele shumë më të ulëta, me një total prej 132.4 milionë Euro, nga të cilat 101.6 milionë Euro blerje në ankande dhe pjesa tjetër 32.6 milionë Euro në ndërhyrje direkte.
Në planin e ndërhyrjeve në tregun valutor për vitin 2024, Banka e Shqipërisë synon të blejë përmes ankandeve midis 250-330 milionë Euro. Sipas të dhënave, në 9-mujorin e këtij viti janë blerë me ankande 228.6 milionë Euro, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë ndërhyrje direkte për një total prej 542 milionë Euro. /ekofin.al