Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të administruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u realizuan në masën 78,8 miliardë lekë, 9,4 miliardë lekë ose 13.5 % më shumë se 9-mujori i parë i vitit 2020.
Referuar të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë këto të ardhura rezultojnë me një realizim 107.1 % të planit të vitit 2021.
Të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore janë treguesi direkt që lidhet me nivelin e punësimit në vend.
Rritja e këtij treguesi është një sinjal pozitiv që ekonomia po i rikthehet ritmeve të saj normale pas goditjeve që pësoi nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit si dhe nga pandemia e COVID-19, e cila ka prekur tërë botë.
Ndikim pozitiv ka dhënë edhe zbatimi i programit të rindërtimit nga qeveria, për të cilin vetëm nga buxheti i shtetit po angazhohen 28 miliardë lekë gjatë këtij viti. Po ashtu, po angazhohen rreth 300 milionë euro grante në projekte specifike të detajuara e dakordësuara me donatorët që janë në faza të ndryshme zbatimi.