Pas tarifave të kadastrës, Qeveria ndryshon edhe tarifat për shqyrtimin e kërkesave të shërbimeve që kryhen nga Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, duke i rritur ato.
Qeveria ka vendosur që edhe kërkesa për ndryshimin apo rishikimi i lejes së zhvillimit do të jetë me pagesë, sikundër edhe kërkesat për lëshimin e lejes së zhvillimit, ndërtimit, etj.
Gjithashtu,tarifa për shqyrtimin e kërkesave për leje zhvillimi dhe tarifa për shqyrtimin e kërkesave për ndryshimin/rishikimin e lejeve të zhvillimit do të llogaritet në bazë të sipërfaqes bazë së pronave që do të zhvillohen dhe niveli i tarifës. Në këtë mënyrë, për projektet me sipërfaqe të përgjithshme prone deri në 100 ha, tarifa është në vlerën 100 lek për m2. E njëjta gjë për projektet me sipërfaqe të përgjithshme prone mbi 100 ha, por jo më shumë se 130 milionë lekë në total.”.
Tarifat për centralet gjeneruese të energjisë
Sa u përket aplikimeve për leje zhvillimi të centrale gjeneruese të energjisë, vendimi në fuqi parashikonte një tarifë për centralet gjeneruese të energjisë, në masën 500 mijë lekë për mw.
Vendimi i miratuar rishtazi nga Qeveria vendos tarifa të reja:
për centralet deri në 2 MW, tarifa fikse në vlerën 1 milion lekë;
për centralet mbi 2 MW deri në 10 MW, tarifa fikse në vlerën 3 milionë lekë;
për centralet mbi 10 MW deri në 50 MW, tarifa fiks në vlerën 10 milionë lekë;
për centralet mbi 50 MW deri në 100 MW, tarifa fikse në vlerën 20 milionë lekë;
për centralet mbi 100 MW, tarifa fikse në vlerën 30 milionë lekë.
Pagesa e tarifës për shqyrtimin e kërkesave për leje zhvillimi dhe tarifa për shqyrtimin e kërkesave për ndryshimin/rishikimin e lejeve të zhvillimit, kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit të lejes së zhvillimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, brenda 15 ditëve nga lëshimi i faturës nga AZHT-ja.”.
Ndërkohë, tarifa për shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi është në vlerën 1% të vlerës së investimit të deklaruar në sistemin e-Leje. Vlera e investimit llogaritet sipas preventivit të investimit, të hartuar dhe të deklaruar nga inxhinieri preventivues, sipas legjislacionit në fuqi.
Preventivi i investimit dhe deklarata e inxhinierit preventivues, me anë të së cilës deklaron nën përgjegjësinë e tij të plotë civile dhe penale se preventivi është hartuar në përputhje me rregullat dhe manualet në fuqi, ngarkohen nga kërkuesi në sistemin e-Leje. Pagesa kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit të lejes së ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga lëshimi i faturës së arkëtimit nga AZHT-ja.
Po ashtu edhe tarifa për shqyrtimin e kërkesave për ndryshimin e subjektit zhvillues është në vlerën 1% të vlerës së investimit të deklaruar në sistemin e-Leje. Pagesa kryhet pas konfirmimit të vendimit të miratimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, brenda 15 ditëve nga lëshimi i faturës nga AZHT-ja.”.
Vendimi parashikon në dispozitën kalimtare që Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, merr të gjitha masat, që, brenda muajit mars 2026, të kryhet lëshimi i faturave brenda sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit. Deri në krijimin e modaliteteve përkatëse, brenda sistemit e-Leje, AZHT-ja mund të kryejë lëshimin e faturave dhe autorizimeve për kryerjen e pagesave, sipas tarifave të përcaktuara në këtë vendim, jashtë sistemit e-Leje. /ekofin.al
