Standardet e sigurisë për pagesat elektronike, janë përafruar sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar në mbledhjen e fundit rregulloren “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit”.
Kjo rregullore krijon mundësinë për ofruesit e shërbimeve të pagesave dhe klientët e tyre që të përdorin të njëjtat shërbime dhe standarde të krijuara nga ofruesit e shërbimeve të pagesave në vendet e BE-së.
Autentifikimi i thelluar i klientit, synon të rrisë sigurinë dhe të minimizojë rrezikun e mashtrimit kryesisht në fushën e pagesave elektronike.
Rregullorja është e lidhur ngushtë edhe me konceptin e bankingut të hapur, që është një ndër risitë kryesore të ligjit të ri. Ajo mundëson që klientët të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare dhe jo domosdoshmërish nëpërmjet bankës ku kanë llogarinë.
Mbi këtë bazë, çdo zotërues i një llogarie bankare mund të marrë informacion mbi gjendjen e llogarisë dhe të iniciojë pagesa edhe nga një institucion financiar i ndryshëm nga banka, i licencuar për këto shërbime.